14:42 / E Mërkurë, 14 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Dështon protesta e paralajmëruar kundër flamurit shtetëror

Ndonëse sot në orën 13:00 ishte paralajmëruar protestë për të kundërshtuar vendosjen e flamurit shtetëror “Te Rrethi”, ajo dështoi pasi që nuk u pa asnjë protestues, përveç kalimtarëve të rastit.

E për ta mbajtur situatën nën kontroll, “Te Rrethi”  ku mbrëmë u largua flamur kombëtar dhe në vend të tij u vendos ai shtetëror kishin dal forcat policore.

Kalimtari i rastit, Adem Miftari  i cili as nuk ishte i informuar për protestën e paralajmëruar, largimin e flamurit kombëtar në orët e vona të natës së mbrëmshme e ka konsideruar si hajni.

Ai i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që flamurin kombëtar ta vendosin tek rrethi që shkon për Veternik.

“Jap një propozim që i njëjti flamur i cili është larguar të vendoset tek rrethi tjetër i cili shkon për Veternik, për Vushtrri ai rrethi i madh dhe propozoj që brenda 24 orëve mujnë me vendos flamurin kombëtar atje me kanë populli i qetë sepse populli janë të mllefosur “, tha ai.

Ndryshe, në një situatë të tensionuar, me praninë e forcave policore dhe shumë qytetarëve, mbrëmë është hequr flamuri kombëtarë dhe është vendosur flamuri i Kosovës në hyrje të Prishtinës.