11:45 / E Shtunë, 08 Shtator 2018 / indeksADMonline

Dreshaj komenton skandalet në komunën e Istogut: Dikujt i ka humb udha në oborr

Gani Dreshaj i ka komentuar për herë të parë përçarjet e LDK-së në Istog, pas të cilave kanë dalur disa akuza për vjedhje e dallavere.

Deputeti i AAK-së ka thënë se për të mos e vuajtur qytetari, Haki Rugova do të duhej të gjente zgjidhjen më të mirë, e cila do të ishte dorëheqja.

Dreshaj ka thënë se në komunën e Istogut ka drejtorë që nuk guxojnë të futen në zyre me muaj, duke mos përmendur emra.

“Të dashur qytetarë të Istogut. Ndjej shqetësimin e juaj për ngjarjet e fundit që po ndodhin në komunën tonë.

Përçarjet e fundit në komunën e Istogut po shpalosin skandale që asnjëri nga ne nuk do të donim t’i dëgjonim, aq më pak t’i dinim që kanë ndodhur në komunën tonë.

Kësaj që po ndodhë në komunën e Istogut, i thonë humbje e udhës në oborr. E kjo po i ngjanë kryetarit aktual Rugova.

Nuk mund të ketë rezultate, prosperitet, perspektiv e punë në një ambient ku drejtorët nuk guxojnë të futen me muaj në zyrët e tyre, për shkak të kërcënimeve. Këto situata tashmë i din secili në Istog, madje edhe qytetarët.

Andaj, për të mos vuajtur qytetari nga kjo situatë, e lus kryetarin Rugova që të bëjë zgjedhjen më të mirë, e cila mbase mund të ishte dorëheqja e tij.

Një fjalë tjetër e popullit thotë se “çka ka shpija e qet fëmija”, e në këtë rast janë njerëzit më të afërt të kryetarit që kanë shpalosur dallaveret që po ngulfatin me vite këtë komunë.

Asgjë në Istog nuk po funksionon, andaj largohuni për të mirën e qytetarëve tuaj.

Shpresoj që Hakiu mos të emocionohet si Gazi, sepse në situata të tilla unë tërhiqem” shkruan Dreshaj në Facebook./Indeksonline/