18:01 / E Premte, 31 Gusht 2018 / indeksADMonline

Dy vjet burg për tentim vrasje ndaj dhëndrit para gjykatës

Gjykata Themelore në Pejë i ka shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 2 vitesh ndaj të akuzuarit Sadik Dinaj për tentim vrasje para objektit të Gjykatës së Pejës.

Përveç dënimit me burg, Dinaj është gjobitur me 500 euro për pikën tjetër të akuzës për armëmbajtje pa leje.

Dënimi erdhi pasi i pandehuri Dinaj e pranoi fajësinë për veprat penale gjatë shqyrtimit të dytë të aktakuzës.

Prokuroria Themelore në Pejë akuzonte Sadik Dinajn se në mars të këtij viti, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta dhëndrin e tij, Rifat Berbatin, përderisa në atë rast e kishte rrezikuar edhe jetën e të dëmtuarit tjetër, Gëzim Balokut.

Sipas aktakuzës Rifat Berbati së bashku me Gëzim Balokun ishin duke shkuar në seancë ndërsa i pandehuri Sadik Dinaj ishte duke i pritur para gjykatës dhe me të arritur të dëmtuarit në hyrje te gjykatës ai e kishte nxjerrë pistoletën dhe kishte shtënë një herë në drejtim të Berbatit, i cili gjendej mbrapa mbrojtësit të tij./Kallxo.com/