Ekskluzive: Zyrtari i Komunës së Prishtinës “kapet mat” duke pranuar ryshfet, ja pamjet
Projekti i ndërtimit të shkallëve në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ka disa muaj që ka ngecje të punimeve.
Indeksonline është interesuar rreth këtij projekti ku ka bërë një hulumtim dhe ka kontaktuar me pronarin e firmës e cila po kryen punimet. Arsyet e këtyre ngecjeve sipas ndërtuesit janë sepse menaxheri i projekteve në Komunën e Prishtinës, Refki Sadiku ia ka kërkuar gjithsej 25 mijë euro pronarit të kësaj firme në mënyrë që t’i bëjë alokimin e mjeteve për punët që janë duke u zhvilluar në këtë projekt, i cili i ka kushtuar Komunës së Prishtinës rreth 450 mijë euro.
Gazetari i Indeksonline pas një hulumtimi disaditorë në bashkëpunim me pronarin e firmës ka bërë një investigim duke përdorur masa të fshehta dhe ka arritur ta kap në flagrancë zyrtarin e komunës duke pranuar ryshfet në vlerë prej 2 000 euro.
“Qitu janë 1 500 edhe qetu 500, gjithsej 2 000 euro edhe 3 000 euro ti bij nesër ose pasnesër”, dëgjohet duke i thënë në video pronari i firmës ndërtuese zyrtarit të komunës dhe duke ja dhënë parat kesh në dorë. 5000 euro i ka kërkuar ryshfet Refik Sadiku në mënyrë që t’i lëshoj mjete financiare në vlerë prej 50 mijë euro për një situacion. E gjithë vlera e projektit është 450 mijë euro që do të thotë se menaxheri i projekteve në Komunën e Prishtinës i ka kërkuar gjithsej 25 mijë euro në mënyrë që të mbyllet në tërësi ky projekt.
Pas marrjes së ryshfetit Refik Sadiku shfaqet i gatshëm për të vazhduar punët rreth projektit “Para situacionit kam qejf me i përfundu krejt, hajde tash shkojna të kallxoj çka me ba para situacionit, në qet situacion t’i lëshoj 150 mijë euro, 50 mijë mas 1 jave si të shoh që je tuj ardh me punë”, dëgjohet duke i thënë menaxheri i projekteve në Komunën e Prishtinës pronarit të firmës.
“Jo mos mi l’sho 50 mijë po l’shomi paret sa kam punuar se a po e sheh që jemi vonu 1 muj e kusur e k’shtu nuk shkon”, i thotë pronari i firmës zyrtarit komunal.
Indeksonline pasi e ka realizuar videon për të qenë gjithçka në rregull nga ana ligjore , në bashkëpunim me pronarin e firmës i ka dorëzuar materialet në polici dhe prokurori, por e ka njoftuar edhe Komunën e Prishtinës.
Menjëher pas kësaj ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti duke thënë se Komuna e Prishtinës së fundmi është njoftuar nga njëra prej kompanive që realizon këtë projekt të Komunës, se pagesat për punët e kryera i janë vonuar. Që të shpejtohet procedura, kompania thotë sa i ka dhënë ryshfet njërit prej shërbyesve civilë të Komunës së Prishtinës.
“Si rrjedhojë, menjëherë e kemi denoncuar rastin në Policinë e Kosovës, dhe kemi suspenduar me parandalim punëtorin në të cilin dyshohet, derisa të dëshmohet e kundërta”, ka thënë Ahmeti në reagimin e tij përktazi me këtë rast.
Komuna e Prishtinës, sipas Ahmetit, nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që të keqpërdoret paraja publike nga zyrtarët e vet, e as që të bëhen kushtëzime e favorizime përmes ryshfetit.
Menjëher pas dorëzimit të materialeve në polici, Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë dje ka arrestuar, Refik Sadikun i cili është menaxher i projekteve në Komunën e Prishtinës, nën dyshimin për mitmarrje. Por ky nuk është rasti i vetëm që ky zyrtarë përballet me ligjin. Refik Sadiku bashkë me pesë zyrtarë të tjerë komunal më në krye: Ridvan Shahinin, ish drejtorin e infrastrukturës në Komunën e Prishtinës , komunë e cila udhëhiqej nga LDK-ja në atë kohë u patën arrestuar me 3 maj të vitit 2011 nga Policia e Kosovës të dyshuar për korrupsion. Atë kohë po ndërtohej kolektori i ujërave të zeza në Lagjen Emshir të qytetit të Prishtinës dhe Refik Sadiku bashkë me zyrtarët tjerë komunal akuzoheshin se kanë kryer pagesa qindra mijëra euro pa mbulesë të punimeve.
Isa Mustafa, ish kryetari i Prishtinës në atë kohë pati reaguar duke akuzuar Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës për arrestime politike madje ai akuzoi edhe SHIK-un se qëndron prapa këtyre arrestimeve.
Pas zvarritjes së proceseve gjygjësore për më shumë se dy vite dhe heqjes dorë nga ndjekja penale nga ana e prokurorisë, Refik Sadiku është kthyer përsëri në vendin e punë me vendim gjykate punë të cilët e ka vazhduar me të njejtin avaz derisa u kap “mat” duke pranuar para kesh nga kamera e fshehtë e gazetarit ivestigativ të mediumit tonë. J.S./Indeksonline/
Për më shumë shihni pamjet: