19:32 / E Diele, 09 Shtator 2018 / indeksADMonline

Elmi Thaçi: Presidenti Thaçi mendon seriozisht për popullin e tij!

Ish kandidati për kryetar të Drenasit nga Aleanca Kosova e Re (AKR), Elmi Thaçi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend. Ai i ka dalë haptas në mbështetje Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i cili ka thënë se është pro korrigjimit të kufijve, por jo ndarjes së territorit të Kosovës.

Sipas Elmi Thaçit, Presidenti Thaçi është i vetmi prej liderëve që po e përkrah Luginën e Preshevës dhe dëshiron që ajo pjesë t’i bashkohet Kosovës.

“Është për të ardhur keq se si partitë politike nuk i dalin në mbështetje një njeriu i cili gjithë jetën e tij ka punuar për Kosovën dhe popullin e tij. Është për të ardhur keq se si ata politikanë nga pozita e opozita nuk mbështesin qëndrimin e përfaqësuesit të popullit që dëshiron që Lugina t’i bashkohet Kosovës. Presidenti Thaçi nuk mund të firmos marrëveshje asnjëherë në dëm të Kosovës, sepse ai ka dhënë kontributin më të madh gjatë dhe pas luftës, fillimisht për liri e më pas për shtetndërtim”, ka thënë Elmi Thaçi.

Elmi Thaçi thotë se për të ecur Kosova drejt integrimit në familjen e madhe Evropiane, duhet të zgjidh përfundimisht mosmarrëveshjet shekullore me Serbinë.

“Demarkimi i kufirit me Serbinë është i nevojshëm. Pa përfundimin e një procesi të tillë, Kosova nuk mund të ec përpara. Kosovës i duhet shënjezimi i kufijve me Serbinë njëjtë sikurse me shtetet fqinje, Maqedoninë, Shqipërinë e Malin e Zi”, ka thënë Elmi Thaçi.

Ai ka shtuar se viti i ardhshëm pritet të jetë vit vendimtar për ty shtetet dhe popujt e tyre dhe në këtë aspekt Presidenti Thaçi duhet të këtë mbështetjen e popullit të tij dhe në veçanti të institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre.

“Askush nuk mendon më seriozisht për qytetarët e Kosovës sesa vet  Presidenti Thaçi”, ka përfunduar mendimin e tij Elmi Thaçi./Indeksonline/