18:25 / E Diele, 26 Gusht 2018 / indeksADMonline

Emri i Nënë Terezës, letërnjoftimi i çdo shqiptari në botë

Emri i Nënë Terezës është letërnjoftimi i çdo shqiptari në botë, pasi bota nuk njeh shqiptar tjetër më të famshëm se ajo.

Kështu u tha në shënimin e 108-vjetorit të lindjes së Shën Terezës, ku është bërë edhe promovimi i librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko, dhe ekspozita dokumentare “Jeta përmes kujtimeve”.

Me këtë rast, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka lavdëruar punën e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve që kanë botuar këtë libër në ditëlindjen e Shën Terezës.

Ai tha se më e pakta që mund të bëjnë për një person që jetën ia fali dashurisë për të varfrit, të sëmurët është t’ia festojnë ditëlindjen.

Emri i Nënë Terezës është letërnjoftim i çdo shqiptari në botë sipas ministrit Lekaj, e kjo pasi që ai tha se bota nuk njeh shqiptar tjetër më të famshëm se ajo në botë.

Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës ka thënë se sot shqiptarët festojnë ditëlindjen e një  motre të madhe siç është Nënë Tereza.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe njëri nga tre autorët e librit, Skender Asani, u shpreh se Shën Tereza ka lënë pas vete mësimin më të mirë se përkundër që u bë nënë e gjithë botës, megjithatë mbeti nëna kombëtare e shqiptarëve.

Ai tha se shqiptarët janë komb me fat që e kishin një Nënë Terezë, kurse tha se shqiptarët shkupjan janë dyfish të nderuar që përveç lidhjes etnike e kanë edhe lidhjen gjeografike.

Ndërsa, recensenti Gjon Berisha ka folur lidhur me faktorët që kanë ndikuar që komuniteti i familjeve katolike shqiptare në Shkup të vijë deri në gjendjen që është sot.

Në emër të familjeve krishtere në Shkup foli Anoton Serreçi, i cili tha kërkoi ndihmë nga priftërinjtë shqiptar që katolikët e Shkupit të mbijetojnë.

Ai tha se ky libër le të jetë një nismë për ndriçimin e historisë së katolikëve shqiptar në Shkup.

Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup. Ajo tërë jetën e saj ia kushtoi çështjes së bamirësisë, duke i ndihmuar familjet e varfra dhe personat e sëmurë.

Nëna Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997. Për vlerat e saja jetësore, Nëna Terezë nga Kisha e Shenjt në Vatikan u shpall Shën Tereza.