15:01 / E Diele, 09 Shtator 2018 / indeksADMonline

Epilogu i policisë rreth vizitës së delegacionit serb në Kosovë

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës ka dhënë informacione zyrtare lidhur me vizitën dy ditore të delegacionit serb në Kosovë.

Kësisoj, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq së bashku me ekipin e tij kanë lëshuar territorin e Kosovës rreth orës 13:50.

Sipas komunikatës, lidhur me vizitat e delegacioneve apo personaliteteve nderkombëtare në vendin tonë, përfshirë edhe vizitën dyditore të Presidentit serb, Vuçiq,  Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit të gjitha veprimet e saja planifikuese dhe operacionale i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe vendimit të institucioneve shtetërore të RKS-së, në funksion të garantimit të sigurisë për të gjithë, shkruan Indeksonline.

“Lidhur me vizitën e lejuar të Presidentit serb në vendin tonë, Policia e Kosovës permes planifikimeve operacionale ka ndërmarr masat e nevojshme policore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe përcjelljes së eskortës dhe ofrimit të sigurisë së delegacionit.

Referuar kësaj vizite, sot në orët e hershme të mengjesit Policia e Kosovës ka pranuar disa informacione për tubime të disa qytetarëve dhe bllokim të rrugës në rajonin e Drenicës, për të protestuar kundër vizitës së presidentit serb në këtë rajon. Policia e Kosovës ka ndermarr të gjitha veprimet operacionale për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së përgjithshme, përderisa situata ka qenë e qetë dhe nuk është raportuar për ndonjë incident”, thuhet në sqarimin e policisë.

Ndërsa sa i përket disa raportimeve në mediat serbe, ku thuhet se janë dëgjuar të shtëna armësh në këtë rajon, Policia e Kosovës nuk posedon ndonjë informacion për të shtëna dhe aktualisht nuk mund të konfirmoj lajmin si të tillë, i cili i referohet këtij lokacioni dhe personit të apostrofuar në këto media si të dyshuar. Policia e Kosovës do të punoj me njësitet relevante policore në verifikimin e këtij informacioni.

“Referuar situatës dhe vendimit të institucioneve shtetrore të RKS-së lidhur me viziten e presidentit serb në rajonin e Drenicës, Policia e Kosovës i ka ndermarr të gjitha masat e nevojshme për realizim dhe implementim të këtij vendimi.

Delegacioni me presidentin serb është kthyer nga rajoni i veriut të Mitrovicës drejt pikës kufitare në Jarinje, dhe i njëjti ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës rreth orës 13:50”, përfundon epilogu./Indeksonline/