12:03 / E Martë, 13 Shkurt 2018 / indeksADMonline

EULEX-i do t’i gjykojë të akuzuarit për vrasjen e policëve të UNMIK-ut

Katër të akuzuarit për vrasje të dy zyrtarëve policorë të UNMIK-ut dhe vrajën në tentativë të dy zyrtarëve tjerë të këtij misioni më 23 mars 2004 do të gjykohen nga EULEX-i.

Kështu ka vendosur Këshilli Gjyqësor i Kosovës që ka pranuar kërkesën nga Witold Jakimo, ushtrues detyre i kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në të cilin thuhet se Jakimo më 8 nëntor 2017 kishte dërguar në KGJK kërkesën që rasti i vrasjes s zyrtarëve të UNMIK-ut të gjykohet nga një trup i përbërë me shumicë dhe me kryesues nga Misioni Europian për Sundim të Ligjit.

Në vendim thuhet se KGJK-ja aprovoi kërkesën e kryetarit të gjykatësve të EULEX-it, për arsye tjera e jo ngase gjyqtarët vendorë mund të mos kishin mundur të gjykojnë katër të akuzuarit.

KGJK-ja mori këtë vendim “jo pse gjyqësori kosovar është i paaftë dhe ka mosgatishmëri për t’u marrë me rastin, por ndërmori një veprim të tillë duke u mbështetur në arsyetimin se është një rast shumë i ndjeshëm”.

Këshili Gjyqësor më tutje arsyeton vendimin me faktin se njëri nga të vrarët ishte anëtar ndërkombëtar i kontingjentit të UNMIK-ut.

“Një nga zyrtarët e vrarë ishte një anëtar i kontingjentit ndërkombëtar ë UNMIK-ut, rasti është kompleks ku përfshihen katër të pandehur dhe veprat penale kanë të bëjnë me shtetet anëtare të BE-së”, thuhet në arsyetimin e vendimit të KGJK-së.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiçmari e Faik Shaqiri.

Më 23 mars 2004 gjatë trazirave të atëhershme ishin vrarë dy zyrtarë të UNMIK-ut, ndërsa të akuzuarit përveç për vrasje të tyre ngarkohen edhe për vrasje në tentativë.

Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm më 12 tetor.

Temat: