Flasin drejtorët e shkarkuar nga Ahmeti: S’pati guxim të ballafaqohet sy me sy
Mbrëmë Shpend Ahmeti ka shkarkuar dy prej tre drejtorëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës.
Ndërsa, sot të njëjtit përmes një konference për media janë shprehur tejet të zhgënjyer me këtë gjest të Ahmetit, madje veprimin e tij e kanë quajtur si të pabazë, për të cilën thanë se as që janë njoftuar, por as që kanë marrë ndonjë sqarim.
“Kjo qeverisje është fituar nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa kryetarit pas fitimit të dytë të mandatit nuk i bëhet vonë as për aktivistët që kontribuan e as votuesit që ja besuan votën. Nuk kam koment për këtë dhe nuk di si të ndihem. Këtë e kuptuam mbrëmë përmes një emisioni që ishte incizuar shumë më herët, që ka pasur kohë për një sqarim, por as këtë kryetari nuk e ka bërë. Kjo flet shumë për një ikje nga ballafaqimi. Madje të njëjtën gjë ai e pati bërë edhe me dorëheqjen nga Vetëvendosja, të cilën e ka paralajmëruar përmes facebook-ut”, u shpreh Arben Vitia Drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Prishtinë.
Tutja Vitia shtoi se ka pasur indikacione nga ana e Ahmetit se diçka e tillë mund të ndodhte, pasi ai me muaj i ka neglizhuar ata, raporton Indeksonline.
‘Ka pas indikacione për largim, ka muaj që nuk përgjigjet e as përmes telefonit e as e-mailave. Të gjitha këto na lënë të dyshojnë se një gjë është duke u përgatitur dhe do të ndodhë”.
Nora Kelmendi, Drejtoresha e Kadastrës në Komunën e Prishtinës, po ashtu e shkarkuara e dytë nga Ahmeti tha se janë të paqëndrueshme veprimet e kryetarit, teksa këtë gjest ajo e quajti qyqarllak.
“Akti i shkarkimit nga Ahmeti tregon se ai e kishte të vështirë të ballafaqohet me mua dhe Yllin sy me sy. Janë të paqëndrushme veprimet e tij, gjesti i tij tregon qyqarllak dhe mungesë ndaj neve dhe besimit të votuesve të Vetëvendosjes. Shpendi s’gjeti kohë as pesë minuta të bisedojë me ne. Ky kryetar ka hequr dorë nga programi që kemi fituar dhe Lëvizjen Vetëvendosje e sheh si pengesë’, u shpreh ajo.
Ndërsa, drejtori i vetëm i LVV që ka mbetur në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova tha se me veprimin e Ahmetit, Vetëvendosje u largua nga Komuna.
‘Unë dje u deklarova edhe për largimin tim dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë. Pa marr parasysh a quhet shkarkim, Lëvizja u largua nga komuna duke krijuar mundësi të reja të bëhen koalicione të reja dhe besimi që u bë përmes votave të tjetërsohet”.
Ndryshe, deri më tani Ahmeti nuk ka dhënë ndonjë sqarim në lidhje me shkarkimin e dy drejtorëve të LVV./Indeksonline/