10:41 / E Enjte, 07 Qershor 2018 / indeksADMonline

Flasin gjeneralët: “Ushtria po bëhet realitet”

Janë bërë më shumë se katër vite që kur udhëheqësit e shtetit kanë paralajmëruar se Kosova do të bëhet me ushtrinë e saj.

Më 17 shkurt të 2014, Presidenti i Kosovës, asokohe kryeministër, Hashim Thaçi kishte thënë se kjo ditë do të ishte e fundit kur FSK-ja do të parakalonte me këtë emër, duke aluduar në transformimin e saj në ushtri, shkruan Indeksonline.

Një afat tjetër se kur Kosova do të ketë ushtrinë e saj e ka dhënë dje kryeministri aktual i  vendit, Ramush Haradinaj. Sipas tij, procesi i dhënies së mandatit të Ushtrisë së Kosovës është në fazën finale dhe ajo do të bëhet së shpejti, qoftë me ndryshime kushtetuese ose me ligj.

“Një proces i dhënies së mandatit të Ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese e ka mbërri finalen e vet. Kosova mundet të dërgojë në parlament ndryshimet kushtetuese, por s’e ka votën dhe mundet ta dërgojë si ligj. Tash është çështje e zgjidhjes cilën rrugë dëshiron ta ndjekë Kosova. Është mirë t’ia shpjegojmë partnerëve dhe këtë po e bëjmë. Këtë vit do të mandatohet Ushtria e Kosovës. Është e pashmangshme”, theksoi Haradinaj.

Këtë deklaratë të tij e ka mirëpritur zëvendësministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku. Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se Haradinaj me siguri di diçka për këtë, pasi ai nuk flet pa pasur informata.

“Uroj të jetë ashtu siç ka thënë Haradinaj. Unë besoj se kryeministri nuk fol përmendsh dhe me siguri ka informacionet e duhura për një gjë të tillë”, ka thënë Çeku.

Sipas tij, Haradinaj do të mbaj premtimin për ushtrinë, sikurse i ka mbajtur edhe premtime tjera që i ka dhënë deri më tani. “Besoj se kryeministri Ramush Haradinaj do ta mbaj edhe këtë premtim që e ka bërë”, ka shtuar Çeku.

I bindur në formimin e ushtrisë së Kosovës është shprehur edhe ish-komandanti i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati.

Ai ka thënë për Indeksonline se kryeministri duhet të ketë biseduar me komunitetin serb para se të jap një deklaratë të tillë.

“Jam shumë i lumtur kur dëgjoj deklarata të tilla të kryeministrit dhe kur ai e thotë një gjë të tillë, jam shumë i bindur se më në fund Kosova do të ketë ushtrinë e saj. Mendoj dhe uroj që kryeministri paraprakisht ka biseduar edhe me përfaqësuesit e komunitetit serb, për arsye se pengesa kryesore e dimë të gjithë që janë përfaqësuesit serb, sepse nuk duan t’i votojnë ndryshimet kushtetuese”, ka theksuar Kastrati.

Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar dhe partnerët strategjikë e kanë thënë shumë qartë se do ta përkrahin transformimin e FSK-së në ushtri, por me ndryshime kushtetuese.

“Unë shumë herë e kam thënë dhe vazhdoj ta përsëris se institucionet e Kosovës, kryeministri, presidenti, parlamenti etj, duhet të japin një vijë të kuqe deri kur ne mund të presim këto ndryshime kushtetuese apo vullnetin e komunitetit serb që të votojnë këto ndryshime. Përndryshe ne duhet të ecim me ndryshime të mandatit me ligj që është e mundur dhe Kosova mos të ketë ushtrinë e saj, por vetëm një organizatë ushtarake”, ka përfunduar Kastrati.

Kujtojmë se deputetët e Listës Serbe janë deklaruar disa herë kundër transformimit të FSK-së në ushtri, duke thënë se kjo iniciativë nuk është as në agjendën e tyre, duke bërë që ushtria të mbetet peng i saj deri më tani. /Indeksonline/

Temat: