09:05 / E Diele, 07 Janar 2018 / indeksADMonline

Flet për herë të parë si zv/ministër i FSK-së: Formimi i Ushtrisë, proces kyç!

Procesi i transformimit të Forcave të Sigurisë në Ushtri të Kosovës është ndër objektivat kryesore të  Qeverisë “Haradinaj” në vitin 2018.  I sapo emëruari zëvendës ministër në FSK, Burim Ramadani ka folur për angazhimin e tij që pretendon ta  arrijë gjatë mandatit qeverisës.

Ai në një prononcim për “Indeksonline” ka treguar se çka do të ketë kompentecë në këtë dikaster qeveritar.

Sipas tij, objektivat e Kryeministrit, Qeverisë dhe Ministrisë përfshijnë kompletimin, fuqizimin dhe avancimin e sektorit të sigurisë në tërësi, dhe përmbylljen e procesit të themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Suksesi i arritur nga FSK në vendosjen dhe zbatimin e parimeve bashkëkohore demokratike dhe të profesionalizmit, është tregimi i suksesit të shtetit dhe popullit të Kosovës. Një tregim i tillë i suksesit është krenari e jona. Përpos aspektit të institucioneve të sektorit të sigurisë, forcimi i qeverisjes së mirë dhe mbikëqyrjes demokratike është një parim i domosdoshëm për të arritur promovimin dhe garantimin e sigurisë nacionale”, ka thënë Ramadani.

Më tej, këshilltari i kryeministrit Haradinaj ka theksuar se siguria nacionale e Kosovës është ngusht e lidhur me partneritetin strategjik me SHBA-në dhe NATO-n.

Ai thotë se më këtë rast synojmë kështu thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit sipas interesit nacional të Kosovës.

“Shteti i Kosovës tashmë është ofrues i sigurisë dhe jo vetëm konsumues, ndërsa kompletimi i sektorit të sigurisë e bën Kosovën kontribues të veçantë në sigurinë rajonale dhe më gjerë. Këto anagzhime janë udhërrëfyes i punës sime në institucione, duke synuar të ndihmohet në zgjerimin e angazhimit me akterët e rëndësishëm në shoqërinë kosovare, duke përfshirë këtu edhe shoqërinë civile, ekspertizën dhe politikë-bërjen gjithëpërfshirëse”, është shprehur ai.

Në fund, Ramadani ka treguar edhe rolin e tij si zv/ministër në FSK. Sipas tij,  do të jetë në mbështetje të Ministrit të FSK-së, Rrustem Berisha, në realizimin e suksesshëm të objektivave të tij, Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës./Indeksonline/