17:38 / E Martë, 01 Maj 2018 / indeksADMonline

Formula 1 me rregulla të reja për më shumë parakalime

Tri fitues në 4 garat e para sezonale të Botërorit 2018 në Formula 1, gara që deri më tani kanë qenë të mbushura me surpriza dhe emocione, duke lënë të hapur emrin e fituesit deri në fund. Por e gjitha kjo nuk i ka mjaftuar Liberty Media dhe FIA, që të ndërmarrin nisma të reja për të shtuar spektaklin, që kryesisht kanë të bëjnë me rritjen e numrit të parakalimeve në pistë kampionatin e ardhshëm.

Të shqetësuar nga numri i ulët i parakalimeve në dy sezonte e fundit dhe garave pa shumë emocione, FIA dhe Liberty Media kanë kërkuar që të bëhen disa ndryshime urgjente në të mirë të sportit më të bukur të garave të automobilizmit. Ndryshime që do të aplikohen që vitin e ardhshëm, ndaj është arritur një marrëveshje mes palëve edhe pse mjaft skuadra nuk kanë preferuar të ndryshojnë gjërat në këtë moment të sezonit.

Përmes një komunikate zyrtare, FIA bën me dije se makinat që do të zbresin në pistë botërorin e ardhshëm do të kenë disa ndryshime aerodinamike në pjesën e përparme, që ndikojnë shumë në rritjen e shpejtësisë dhe uljen e forcës së frenimit. Ndryshime do të ketë edhe në pjesën e pasme të makinave, ku krahët do të jenë më të gjatë dhe të thellë, duke ndihmuar në shtimin e parakalimeve në pistë.