10:41 / E Premte, 02 Mars 2018 / indeksADMonline

Futbollisti kosovar del pozitiv në testin anti-doping

Mbrojtësi i Kosovës, Bajram Jashanica, ka rezultuar pozitiv në kontrollet antidoping dhe do të mungojë për një kohë të gjatë.

27-vjeçari nga Prishtina, i cili ka luajtur 145 ndeshje me fanellën e Skënderbeut, është zbuluar pozitiv pas kontrolleve të kryera në shtator, pas ndeshjes Skënderbeu-Yong Boys në Europa League.

Sport Ekspres mëson se tashmë në zyrat e klubit korçar ka mbërritur edhe e-maili zyrtar që njofton Skënderbeun, por edhe Federatën Shqiptare të Futbollit, në lidhje me substancën e ndaluar që është përdorur nga Jashanica, i cili pezullohet për dy vite.

Natyrisht, në raste të tilla nevojitet edhe testi B, por edhe aty rezultati ka qenë i njëjtë.

Është një lajm i rëndë, si për vetë lojtarin, ashtu edhe për klubin, që e shihte Jashanicën si një ndër lojtarët me më shumë treg dhe mund ta kishte shitur që në janar.