16:49 / E Diele, 25 Mars 2018 / indeksADMonline

Gërmia me pak vizitorë (Foto)

Pas ditëve me ajër të ndotur, qytetarët e Prishtinës e kanë një vend ku mund ta kalojnë kohën e lirë pa këtë brengë. Por duket se rënia e borës në ditët e para të pranverës e ka bërë të veten, pasi një numër i vogël qytetarësh kishin vendosur sot ta frekuentonin Parkun e Gërmisë.

Në vend të luleve, pranvera e këtij viti solli dëborën e bardhë. Petku i bardhë i borës që kishte mbuluar Gërminë, sot vende-vende kishte filluar të shkrijë, e aty këtu ishte shndërruar në akull.Ndryshe nga të dielat tjera, këndet e lojërave për fëmijë ishin pothuajse të zbrazëta. Derisa ata shiheshin tek ngjiteshin drejt shtigjeve malore për të rrëshqitur me saja. Meqenëse fëmijët janë ata që i gëzohen më së shumti borës, edhe Esila dhe Mert Erdemir, kishin dalë sot për të lozur në parkun e Gërmisë. E megjithatë, është Esila Erdemir ajo që ka shprehur habi për borën që ra këtë fillim-mars.

Vëllai i saj thotë se i pëlqen shumë Gërmia, pasi që aty mund të luajë me top kur është koha e me diell, derisa thotë se i kënaqet edhe borës pasi që mund të rrëshqasë.

I njohur për hapësirën gjelbëruese, shëtitoren, këndin e lojërave për fëmijë, restorantet me meny të begatë, Parku i Gërmisë ofron kushte për të gjitha moshat.

Qytetari Ymer Berbati në një prononcim për KosovaPress ka thënë se e viziton shpesh parkun e Gërmisë, pasi që i pëlqen të ecë në ajër të pastër dhe hapësira gjelbëruese. Ndërsa sa i përket rënies së borës këtë pranverë, thotë se natyra i ka teket e veta. Për Xhavit Blakajn, petku i bardhë i borës vetëm sa e ka zbukuruar atë hapësirë, porse megjithatë ka paraqitur edhe pengesa, pasi që thotë se nuk është ndërmarrë asgjë për të stimuluar shkrirjen e akullit në shtigjet e parapara për ecje.

E pensionisti Bahtir Bekteshi ka rrëfyer për KosovaPress se vuan nga diabeti, teksa ka thënë se është pikërisht Gërmia me magjinë e saj që i ndihmon të ndjehet më mirë.

Për këtë, ai rekomandon të gjithë qytetarët që sa më shpesh të zgjedhin Gërminë si pikën e tyre të destinacionit. Ndërkaq, Bekteshi tha se mban në mend të ketë rënë borë edhe në Shën Gjergj, porse të jetë shkrirë po atë ditë. Teksa tha se nuk e mban mend se kur ka mbajtur një mot i tillë si tani në pranverë.

Ndryshe, Parku i Gërmisë gjatë verës tërheq edhe më shumë vizitorë gjatë çdo dite të javës, me hapjen e Prishtinës së Gërmisë.