12:12 / E Enjte, 03 Maj 2018 / indeksADMonline

Gëzuar 18 vjetorin Aleancë!

Këshilltarja e kryeministrit Haradinaj, Meliza Haradinaj-Stublla ka shkruar për përvjetorin e 18-të të themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Haradinaj-Stublla ka folur për vështirësitë dhe suksesset që ka shënuar AAK gjatë viteve.

“18 vite kaluan prej se u jetësua një parti të re politike, në një kohë kur Kosova ende po shërohej nga plagët duke gjetur vetëveten, me një etje të madhe për liri dhe kërkim të gjatë për pavarësi. Andaj, përvjetori i 18-të i AAK-së nuk mund të shkëputet assesi nga historia e re e Kosovës. Si parti politike, qoftë duke qenë në pushtet qoftë në opozitë, Aleanca asnjëherë nuk dështoi të dedikojë vetëveten në përpjekjet afatgjata të konsolidimit të një shoqërie kosovare të lirë e të barabartë, të ndërtimit të institucioneve të forta të shtetit, fitores së pavarësisë, mbrojtjen e vlerave kushtetuese, dhe së fundmi, forcimit të pozitës rajonale dhe ndërkombëtare të Kosovës.

AAK-ja gjithmonë morri fuqinë prej njerëzve të saj, të cilët qëndruan bashkë jo për shkak të aleancës, por për shkak të kauzës që ajo përfaqëson. Si pjesë e rrugëtimit të përbashkët me AAK-në, bashkë të gjithë ne anëtarët e saj ndihemi krenarë, që ndoshta ndonjëherë kemi mundur të japim çfarëdo kontributi simbolik për vlerat në të cilat besojmë. Sot, në 18 vjetorin e Aleancës, ndihen krenar sidomos anëtarët veteran të AAK-së, të cilët udhëhoqën partinë nëpër shumë fitore por edhe vështirësi, sidomos për 8 vite e të mungesës së kryetarit Haradinaj. Përkundër situatave sfiduese politike e kombëtare, gjithmonë aty kanë qenë anëtarët dhe përkrahësit e AAK-së, të cilët mbajtën pathyeshëm gjallë besimin dhe bënë sakrifica të mëdha në mënyrë që AAK t’i mbijetojë përgjegjësisë publike. Pa ju, ne nuk do t’i shënonim bashkë përvjetoret e Aleancës.

Kosovës sonë nuk i nevojiten sot parti të reja e zyrtarë që bazohen në teori abstrakte e gjuhë të avansuar boshe, por parti që ofrojnë zgjidhje praktike të problemeve të jetës sonë reale. Besoj fuqishëm se çelësi ynë është në përmirësimin e strukturave ekzistuese, duke ftuar brenda njerëz që besojnë vlerat dhe parimet tona, dhe që ndihmojnë në realizimin e ëndrrës sonë shekullore. Fuqia e një partie politike matet me qëndrueshmërinë e saj në rrugëtimin sfidues. Këtu qëndron edhe madhështia e vërtetë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Jemi të gjithë të vetëdijshëm se partitë politike i mbijetojnë kohës vetëm nëse ndërtohen mbi bazë të çeliktë të vlerave dhe parimeve. Aleanca asnjëherë s’ka qenë as më mirë as më keq se Kosova. Ajo dëshmoi se asnjëherë nuk do të pushojë së punuari për vlerat e vërteta të popullit tonë, që t’u sigurojmë fëmijëve tanë fëmijëri të lumtur, dhe prindve tanë pleqëri të dinjitetshme.

Në funksion të kësaj, Aleanca i dha Kosovës një kryeministër të pastër politikisht e kombëtarisht, pa hendikepe morale, me mendësi pragmatike dhe unifikuese, që vendimet nuk i merr në interes të partisë, por në interes të Kosovës. E lumtur që historia politike e Aleancës do të mësojë fëmijët tanë edhe për këtë periudhë qeverisësë të kryeministrit Haradinaj, me nder dhe dinjitet, përderisa historia kombëtare e Kosovës na mbanë këmbët e forta mbi të cilat qëndron krenare Kosova.

Kosova po ecë përpara, bashkë me Aleancën.

Gëzuar Aleancë!

E jotja, Meliza” shkruan këshilltarja e kryeministrit Haradinaj.