10:05 / E Enjte, 10 Gusht 2023 / MSH

Gjaku nёpёr lokalet e Prishtinёs

Shkruan: Valon Osmani

Ngjarja e ndodhur ditëve të fundit në lokalin e famshëm të Prishtinës nuk përbën ndonjë çudi të madhe. Jo për njerëzit që jetojnë në vijë ajërore prej afërsisht 100 metra, ku u vra i riu dhe u plagosën shumë tjerë. Shumë nga këta njerëz, me apo pa qejf janë gjendur pranë këtyre situatave që ngjasojnë në filmat njeriu me shenjë (lexo: Scarface!), kanë parë se me sa lehtësi mund të mbytesh apo lëndohesh, dhe pastaj të mbetesh i lirë për shumë kohë për ta vazhduar hakmarrjen nëse veç kërkohet!

Për vrasjen e fundit është folur shumë. Në muhabete paraqiten arsyet nga më të ndryshmet për t’i dhënë kuptim ngjarjes së ndodhur. Psikozat nga stresi i mbledhur ndër vite, në veçanti nga periudha e pandemisë, e deri te elementet me karakter social dhe ekonomik janë vetëm disa nga elementet që ilustrojnë dëshirën për ta bërë të fortin, pa i zgjedhur mjetet për ta arritur qëllimin; pushtetin e rrugës përmes parasë si nxitësin kryesor për ta kryer aktin që tmerroi gjithë kryeqytetin e tutje.

Pavarësisht arsyes që çojë në vrasje, secili element i lartë cekur mund ta nxisë një person ta kryej këtë veprim. Të paktën kështu tregojnë të dhënat nga hulumtimet! Mirëpo, është fakt i pamohueshëm dhe po anashkalohet me apo pa dashje, se këta të rinjë, më lehtë se kurrë më parë, çasjen në konsumin e substancave të dëmshme e kanë vetëm disa hapa larg. Mjafton ta shohësh me vëmendje të shtuar rrëfimin e Amirit, muaj më parë, në emisionin Oxygen për ta kuptuar seriozitetin e situatës së tashme. 

Për ta thënë ndryshe, sot gjeneratat e reja dhe të tjerat pa përjashtim, alkoolin dhe ngjitsin e zakonshëm (që përdoruesit e rregullt të substancave narkotike e përdorin si zëvendësim) mund ta blejnë me lehtësi në marketin më të afërt. Për më tepër, pa pasur nevojë për tu identifikuar siç kërkohet në Evropë dhe Amerikë, alkoolin e blenë në shumicën e lokaleve nepër Kosovë, në çdo kohë, pavarësisht moshës. Ndërsa, megjithë këto viktima me armë të zijarrit duket se gjenden po me kaq lehtësi. Në të kundërtën, posedimi i armës nga personat me të kaluar të dyshimtë do të ishte në nivel më të ulët!?

Pra, faji në gjithë këtë skenar filmash aksion nuk është jetim! Ka adresë të saktë. Adresa është paaftësia për t’i mbrojtur qytetarët në përgjithësi, pa dallim. Dështimi për të krijuar standard që garanton të drejtën e biznesit të jetë gjithëpërfshirës dhe, në të njejtën kohën, t’i shërbej grupit të vetë zgjedhur në siguri të plotë do të duhej të ishte lajm. E jo fakti që personi dajën e ka një ish – ministër. Veç kësaj garancie, standardi do të duhej ta vështirësonte armë mbajtjen dhe, paralelisht, çasjen në substanca të rrezikshme ta bënte të pamundur.    

Vazhdimësia e këtyre ngjarjeve thotë se, përkundër denimeve të caktuara për kryersit e veprave penale, numri i viktimave në periudhë kohore jo fortë të largët e në distancë të ngushtë hapsinore, është në trend rritës. Përgjegjësit për mbajtjen e rendit publik po dështojnë t’i parandalojnë këto ngjarje, prandaj, është e domosdoshme të gjendet mënyrë tjetër për të iu përgjigjur situatës me mjete adekuate. Rritja e denimit për armë mbajtje, kufizimi i konsumit të alkoolit veçanërisht për gjeneratat e reja, dhe ngritja e kapaciteteve të duhura për kontrollin e personave me të kaluar të dyshimtë janë disa nga masat që duhet të konsiderohen. Sepse, ndryshe, kjo situatë do të vazhdoj, duke u bërë normale edhe për tjerët që vazhdojnë të mbesin të çuditur.