12:54 / E Mërkurë, 23 Maj 2018 / indeksADMonline

Gjeneral Rama reagon, ndaj medieve serbe: “Plani” i FSK-së në veri!

E përditshmja beogradase, “Novosti”, ka publikuar sot një artikull lidhur me përgatitjen e një “plani të FSK-së” për ndërhyrje në veri të  Republikës së Kosovës. Mirëpo, këto raportime po dalin të rrejshme dhe aspak reale. 

Kjo gazetë raportoi se në këtë plan janë të përfshirë zyrtarët e lartë të Kosovës, dhe operacioni i hyrjes në Jarinje dhe Bërnjak po përpunohet në bazën amerikane “Bondsteel”.

“Qëllimi i aksionit të cilin do ta zhvillonin FSK-ja është që të prodhohet efekti psikologjik te serbët në veri të Kosovës, gjegjësisht përshtypja se janë të shkëputur nga Serbia”.

Mirëpo, gjitha këto raportime po hedhën poshtë nga numri një i këtij institucioni të sigurisë.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral lejtnant Rrahman Rama, në një prononcim për “Indeksonline”, ka thënë se shkrimet e tilla janë vazhdimësi e propagandës së shekullit të kaluar.

“Çfarë flasin ata  s’ka të bëjë me kurgjo. FSK-ja i ka pjesëtarët e vet në pjesën veriore sikur gjithë të tjerët. S’ka asnjë plan asnjë ide për atë punë, janë propaganda të tyre”, është shprehur ai.

Megjithatë, Rama ka sqaruar se FSK-ja është e shtrirë edhe në pjesën veriore të vendit.

“Ne i kemi pjesëtarë tanë në pjesën veriore. Ata janë të integruar dhe shërbejnë si gjithë të tjerët. Nuk kanë asnjë telashe ndërsa me propagandat dhe komentet e tyre nuk duam të merremi”, është shprehur ai. /Alban Muhaxheri/Indeksonline/