22:37 / E Hënë, 19 Mars 2018 / indeksADMonline

Gjykimi i zyrtarit të policisë që akuzohet se i mori 1.200 euro një të dënuari

Shqyrtimi i dytë ndaj zyrtarit të Policisë, Bajram Bytyqi, i akuzuar për keqpërdorim detyre e ushtrim ndikimi, është shtyrë me kërkesën e të akuzuarit.

Zyrtari policor po akuzohet se mori 1.200 euro nga një person me premtimin se ky i fundit nuk do ta vuante dënimin e shqiptuar nga Gjykata.

Në seancën e sotme, ku parashihej që mbrojtja e të akuzuarit ta paraqiste kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe të kundërshtonte provat, i akuzuari nuk kishte avokat.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Shashivar Hoti, avokati i të pandehurit, Gazmend Halilaj, ka kërkuar që të mos e përfaqësojë më atë, meqenëse vetë ai ka punuar si zyrtar policor.

Mirëpo, shtoi gjykatësi, një njoftim të tillë avokati nuk e ka bërë me kohë.

Ndonëse afati ligjor për kërkesën e hedhjes së aktakuzës dhe kundërshtimin e provave do të kalojë, gjyqtari Hoti tha se të drejtat e palëve nuk do të shkelen, ashtu që pas kërkesës nga i akuzuari i mundësoi që të caktojë një avokat dhe të paraqesin kërkesën e hedhjes së aktakuzës.

I akuzuari Bytyqi komunikoi në Gjykatë se të nesërmen ka vizitë familjare, kur edhe do të kërkojë nga familja e tij që t’i caktojnë një avokat.

Edhe pse caktimi i avokatit nuk është i obliguar në këtë çështje penale, gjykatësi Hoti i tha se do t’i caktojë një avokat në rast se familjarët dështojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Bytyqi në këtë proces gjyqësor, sipas aktakuzës, ngarkohet se më 3 korrik 2013 në Drenas, si person zyrtar në cilësi të zyrtarit të personelit në Stacionin Policor në Drenas, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete apo tjetrin, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ashtu që nga i dëmtuari Ferid Ismajli merr të holla në shumë prej 1.200 euro, duke i premtuar të dëmtuarit që nuk do të vuajë dënimin për të cilin ishte i dënuar nga Gjykata, raporton kallxo.com.

Me këtë ngarkohet me keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Përveç veprës penale të keqpërdorimit, i njëjti ngarkohet edhe me atë të ushtrimit të ndikimit.

Në pikën e dytë të dispozitivit, Prokuroria pretendon se në datë, kohë dhe vend të njëjtë si më lart, i akuzuari në mënyrë të drejtpërdrejtë pas një marrëveshje paraprake me të dëmtuarin, ka pranuar para të gatshme në vlerë 1.200 euro me qëllim të përfitimit për vete apo personin tjetër, në mënyrë që të ushtrojë ndikim të padrejtë dhe të kundërligjshëm te personi zyrtar apo personi përgjegjës për t’ ia hequr dënimin prej gjashtë muaj burg të dëmtuarit.

Zyrtarit të stafit civil të Policisë së Kosovës, Bajram Bytyqit, i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji.

Kjo masë e paraburgimit i është caktuar për një proces gjyqësor tjetër më 1 mars të këtij viti nën dyshimin se ka kryer veprat penale keqpërdorim detyre, si dhe mashtrim.

IPK kishte njoftuar se ka pranuar informacione në lidhje me dyshimet për përfshirje në veprimtari penale të të dyshuarit Bajram Bytyqi, zyrtar i stafit civil në stacionin policor të Drenasit, Drejtoria Rajonale e Prishtinës.

Me autorizim të prokurorit, hetuesit e IPK-së kanë filluar hetimin ndaj këtij zyrtari duke ndërmarrë edhe disa veprime hetimore të cilat rezultuan me arrestimin e të dyshuarit.

Me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore, njofton Inspektorati Policor.

Temat: