16:33 / E Mërkurë, 11 Prill 2018 / indeksADMonline

Gjyqi i mbyllur i “Syrit të popullit”, të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

Të akuzuarit në rastin e njohur si “Syri i Popullit”, janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare, të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në këtë rast, për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, për vrasje të rëndë në tentativë si dhe vepra të tjera penale, akuzohen Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana.

Deklarimin e tyre, të akuzuarit e kanë bërë jashtë syrit të mediave dhe publikut, pasi që ata ishin përjashtuar nga seanca, me vendim të kryetares së trupit gjykues, gjykatëses, Naime Krasniqi – Jashanica, pasi kishte aprovuar kërkesën e prokurorit special Sylë Hoxha, që kjo seancë të mbyllej me arsyetimin se i akuzuari Avni Llumnica ngarkohet me veprën penale të dhunimit.

Lidhur me mohimin e fajësisë nga të pandehurit, pas seancës, ka njoftuar mbrojtësja e të akuzuarit Murat Jashari, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi.

Ajo për “Betimi për Drejtësi”, ka bërë të ditur se të gjithë të akuzuarit në këtë seancë, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat me të cilat ngarkohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Gjykata, sipas saj, mbrojtjes dhe të akuzuarve i ka dhënë afat prej 30 ditës, që të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndryshe, më 29 mars të këtij viti, ishte paraparë të mbahej seanca fillestare në këtë rast, mirëpo ajo kishte dështuar për shkak se kishte munguar i akuzuari Bajrush Konjusha.

Në atë seancë, Gjykata kishte refuzuar kërkesën e mbrojtëses së të akuzuarit Murat Jashari, që këtij të fundit t’i mundësohet gjykimi, pa marr pjesë në seanca gjyqësore.

Një kërkesë të tillë, avokatja e të akuzuarit Jashari, Fehmije Gashi-Bytyqi e kishte bërë me arysetimin se gjendja e të mbrojturit të saj nuk është e mirë, pasi qëndron në Institutin Psikiatrik.

Ajo kishte kërkuar që i akuzuari Jashari, të mos jetë prezent në seanca, mirëpo gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica e kishte refuzuar një kërkesë të tillë.

Lidhur me organizatën “Syri i Popullit”, deri më tash ishin arrestuar dy persona, ish-kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Sadri Ramabaja dhe Murat Jashari, ku ky i fundit akuzohet për tentim vrasjen e avokatit Azem Vllasi, të cilët ndodhen nën masën e paraburgimit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana për vepra të ndryshme penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë, Llumnica akuzohet se ka kryer veprën penale “ hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 I KPRK-së.

Llumnica sipas kësaj aktakuzë sa ishte në Qendrën e paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z  duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.

Llumnica akuzohet për veprën penale “dhunim” nga neni 230 I KPRK-së.

Të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe  vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Ndërsa, i pandehuri Murat Jashari thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar I cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.

Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 I KPRK-së.

I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “ pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë.

Ndërsa, Murat Jashari nga PSRK-ja, është duke u ngarkuar për veprat penale “hakmarrja” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria pretendon se Jashari, duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar  dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privoi nga jeta si ish0udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 191 dhe cështjës kombëtare.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Jashari, fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.

Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën Jasharit dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, Jashari kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës por Jasharit iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për tu takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në Motel “Fontana”, në Veternik.

Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te Jashari ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje.