16:59 / E Mërkurë, 03 Janar 2018 / indeksADMonline

Grushte për nxemje në një shkollë në Obiliq, flet Drejtoresha

Mësimdhënësja e shkollës fillore “Fazli Graiqevci” në fshatin Lajthishtë të Obiliqit u godit me grusht në ballë, në vendin e punës, nga punëtori teknik, pas një mosmarrëveshjeje rreth nxemjes së shkollës.

Nxemja e shkollës u bë shkaktar që punëtori teknik (E.P) e goditi me grusht në ballë (Sh.P) mësimdhënëse në shkollën fillore “Fazli Graiqevci”në Lajthishtë  të Obiliqit. Rasti ka ndodhur të mërkurën e kaluar (27 dhjetor 2017).

Incidenti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës, ndërsa rasti po cilësohet si “lëndim trupor”.

E.P është dërguar në mbajtje, përderisa mësimdhënësja kishte pranuar ndihmë mjekësore.

Gazeta Express ka kontaktuar me drejtoreshën e shkollës, Mevlyde Graiqevcin e cila tha se rasti po trajtohet nga organet e shkollës, përderisa konfirmoi se sulmi ndodhi për shkak të mosmarrëveshjes rreth nxemjes.

“Unë prezent nuk kam qenë kur ka ndodhë rasti, po qysh me treguan ka ndodhë një kacafytje një mosmarrëveshje. Një mosmarrëveshje rreth nxemjes së shkollës edhe organet e shkollës janë tu e trajtu rastin”, tha drejtoresha.

Ajo thotë se për këtë incident nuk ka dëshmitar të rastit ndërsa punëtori teknik ende nuk është suspenduar nga puna.

“Për shkak të nxemjes ka qenë një mosmarrëveshje mes tyre, nuk kam qenë prezent, dëshmitar nuk ka. Nuk është suspendu punëtori teknik edhe nuk ka dëshmitar që e ka godit”, tha Graiqevci.

Graiqevci nuk deshi të japë më shumë detaje lidhur me rastin, pasi siç tha është e zënë në qytet dhe smundet të flasë.

“Organet e shkollës po e trajtojnë rastin megjithëse rasti është duke u procedu edhe në polici”, përfundoi ajo.

Drejtori për Arsim në komunën e Obiliqit, Agim Spahiu, tha se po merren me rastin dhe gjithçka varet nga komisioni dispilinor i shkollës “Fazli Graiqevci”.

“Jemi duke e trajtuar rastin, sot e kemi trajtuar me drejtoreshën. Drejtoresha është duke e trajtuar në organet e shkollës. Mandej, organet e shkollës që janë të ngritura në komisionin disiplinor e vlerësojnë rastin, krejt varet prej komisionit disiplinor të shkollës”, tha Spahiu.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se rasti është cilësuar si “lëndim trupor” dhe se i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Me 27 dhjetor, ne ora 10:48 eshte hap rasti “lendim trupor”. Ne st. Policor Obiliq, mashkulli (1968) eshte derguar ne mbajtje”, tha Ahmeti