16:40 / E Diele, 28 Tetor 2018 / indeksADMonline

Hapat e mëtutjeshëm rreth grupit punues për projektligjet e FSK-së

Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës ka formuar një grup punues për Projektligjet, atë për Ministrinë e Mbrojtjes, për FSK-në dhe atë për Shërbimin në FSK.

Përkundër insistimit të Kryetarit të Komisionit, Haxhi Shala se duhet të formohen tri grupe punuese, për secilin projektligj nga një, megjithatë, në fund  deputeti i Nisma-s thotë për Indeksonline se është miratuar propozimi për një grup të vetëm punues.

Më tutje, ai shton se lidhur me këtë çështje, do të organizohen edhe dy dëgjime publike, një në Prizren me pjesëmarrjen edhe të komuniteteve, ndërsa tjetri në Graçanicë, ku pritet që  të marrin pjesë edhe pjesëtarë të komunitetit serb.

Në anën tjetër, Anëtari i komisionit, Ismet Beqiri ka thënë për Indeksonline se tri Projektligjet që kanë të bëjnë me FSK-në janë miratuar në legjislativ para disa ditëve në lexim të parë.

Sipas tij, për këtë çështje do të merret i gjithë Komisioni, duke theksuar kështu se nuk do të ketë grupe apo nëngrupe të ndara.

“… Pra i tërë Komisioni, nuk kemi grupe apo nëngrupe, por të gjithë do të merren me këtë çështje. Pastaj Komisioni në mbledhje të veçantë do t’i miratoj projektligjet me amendamente dhe do t’i përcjellë Kryesisë së Kuvendit për t’i radhit në rend dite për njërën prej seancave të Kuvendit”, ka deklaruar deputeti i LDK-së, Beqiri për “Indeksonline”.

Ndryshe, Zoran Mojsiloviq, nga Lista Serbe kishte  kundërshtuar me votë kundër krijimin e këtij grupi punues. Kësisoj, ai ka thënë se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në takimet e këtij grupi punues./Indeksonline/