20:42 / E Hënë, 28 Maj 2018 / indeksADMonline

Hapet ekspozita italiane në Prishtinë

Ambasada italiane sonte hapi ekspozitën e pikturave “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm – Agjenda 2030; Dialog mes artistësh nga Italia në Kosovë”, ekspozitë kjo e cila u vlerësua se afron edhe më shumë Kosovën dhe Italinë.

Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Pierro Cristoforo Sardi, tha se ekspozita përbëhet nga 17 piktura nga piktorët italianë, piktura këto të cilat bartin mesazhin dhe promovojnë 17 objektivat globale të Agjenda 2030, e cila afron Italinë dhe Kosovën.

Diplomati italian përkujtoi se Agjenda 2030 për një kohë ka qenë debat i politikës italiane, për arritjen e synimeve konkrete.

 

“Inkurajoj Kosovën dhe institucionet e saja për të qëndruar dhe t’iu dedikohen këtyre synimeve, pasi ato janë me interes për të gjithë banorët e planetit Tokë. Ekspozita e sotme është një kornizë e përkushtimeve tona për paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm dhe paqja e këtij angazhimi është shprehur përmes arteve vizuale dhe në këtë drejtim dua të theksoj se ajo vjen nga dialogu i artistëve në Itali dhe Kosovë, e cila ka pasur shumë evente dhe do të vazhdoj”, tha ai.

Ndërsa koordinatori i ekspozitës, Michele Gortan, tregoi rëndësinë që ka kjo ekspozitë, derisa tregoi edhe historikun e saj në Kosovë.

 

“Ekspozita e parë është hapur në vitin 2016 në qytetin e Pejës. Dhe gjithçka ëshët e qartë se pse jemi sot këtu. Ju mund të shikoni që sot është një befasi. Ju mund të shikoni prapa jush dhe shikoni ‘Dialogun ndërmjet artistëve Itali-Kosovë’. Ngjyrat janë e kaltra dhe e verdha, sikurse flamuri i Italisë, i Evropës dhe i Kosovës. Ka filluar vitin e kaluar në Junik dhe Pejë”, tha ai.

Ekspozita “Objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm agjenda 2030”, do të qëndrojë e hapur për një javë.

Ndryshe, Agjenda 2030 përbën një strategji dhe plan konkret pune të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e qëndrueshëm në nivel global. Ajo kërkon të forcojë paqen universale dhe të sigurojë liri më të madhe dhe mirëqenie në botë. Të gjitha vendet dhe të gjitha palët e interesuara duhet ta zbatojnë këtë plan të nënshkruar nga të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.

Agjenda ka 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) dhe 169 synime, të nënshkruara nga OKB më 2015, me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Organizatës. Këto objektiva bazohen tek Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të periudhës 2000-2015 të OKB-së dhe synojnë të plotësojnë atë që këto objektiva nuk arritën.

Temat: