13:44 / E Enjte, 27 Shtator 2018 / indeksADMonline

Haradinaj nuk merr pjesë në takimin e Thaçit me Erdoganin

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe zv/kryeministri njëherësh dhe kreu i diplomacisë kosovare Behgjet Pacolli po qëndrojnë në Nju Jork për të zhvilluar takime të ndryshme me lider botëror.

Delegacioni kosovar i bashkuar ka zhvilluar shumë takime të njëpasnjëshme. Por takimi i fundit nuk shkoi sikur takimet tjera, raporton Indeksonline.

Ramush Haradinaj nuk u pa në takimin që Thaçi e Pacolli e zhvilluan me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Raportet mes presidentit turk dhe kryeministrit të Kosovës ishin zbehur pas ngjarjeve të arrestimit dhe depërtimit të gjashtë qytetarëve turq nga Kosova.

Vendimi i kryeministrit Haradinaj, për shkarkimin e drejtorit të AKI-së dhe ministrit të Brendshëm, për mos informim lidhur më këtë aksion, kishte irrituar presidentit turk.

Ai kishte thënë se Haradinaj do ta paguajë këtë vendim, duke u shprehur se qytetarët e Kosovës do ta shkarkojnë atë.

Edhe, kryeministri Haradinaj nuk e ka kursyer Erdoganin, duke i kërkuar që ai të dijë kufijtë e vet, dhe se nuk mund të ndryjë në punët e Kosovës.

Por pavarësisht kësaj përplasje, Erdogan e Thaçi vazhdojnë të kenë raporte të mira.

Në një status të postuar në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi ka thënë se gjatë qëndrimit në Nju Jork, ka zhvilluar një takim me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

“Biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh, për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të përbashkët”, ka shkruar Thaçi.

Ai thotë se e ka falënderuar presidentin Erdogan për mbështetjen që Turqia po i jep Kosovës në procesin e rritjes së njohjeve dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, me theks të posaçëm në Interpol, me synim për t’i mundësuar Kosovës që të kontribuojë më shumë në rritjen e sigurisë globale.

“Gjithashtu, e informova presidentin Erdogan lidhur me fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast homologu turk shprehu mbështetjen e tij për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme midis dy shteteve”, ka shkruar Thaçi në Facebook./Indeksonline/