18:07 / E Martë, 29 Maj 2018

Haradinaj takim pune me drejtuesit në sektorin energjetik në vend

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një takim pune me Bordin e KEK-ut, menaxhmentin dhe anëtarët tjerë të Komisionit Teknik të Qeverisë, në të cilën u diskutua për drejtimin që do të marrë zhvillimi i “Mihjes së Re” dhe për hapat që duhet ndërmarrë, që ky proces të rezultojë më sukses dhe me kosto sa më të përballueshme për Korporatën Energjetike të Kosovës por edhe për Qeverinë e vendit.

Haradinaj tha se janë në kohën kur duhet të ndërmerren veprime të sakta dhe në kohë, sa i përket obligimeve të cilat ndërlidhen me investimet për “Kosovën e Re” dhe sipas kryeministrit njëra prej punëve kryesore është Miniera e Re.

“Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm, i cili duhet të shfrytëzohet në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe stabilitetit energjetik në vend”.

Në mënyrë që të mos ndodhin vonesa, kryeministri Haradinaj kërkoi nga të pranishmit që si profesionistë të fushës dhe në bazë të kompetencave të tyre ta ndihmojnë Qeverinë e vendit me veprimet e tyre që punët rreth minierës të përfundojnë me kohë, e përmes kësaj të ndihmohet vendi dhe jetësimi i Projektit të ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se janë mbledhur për të shikuar mundësinë që sa më të shpejtë të finalizohet drejtimi i Minierës së Re, për të cilën tha se është shumë me rëndësi që të mos ketë vonesa. Më tej ministri tha se ekzistojnë tri drejtime të mundshme të zhvillimit të minierës së re, të rekomanduara edhe nga ekspertë të ndryshëm të kësaj fushe.

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, u fokusua rreth konceptit të ri të zhvillimit të minierave të cilat sipas tij do të jenë shumë më efikase dhe me kosto më të ulët të operimit në eksploatimin e thëngjillit.

Ky takim pune u zhvillua me qëllim të ofrimit të mbështetjes dhe zgjidhjes që sa më shpejt të finalizohet ky projekt në mënyrë që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm me energji dhe një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik për vendin.