18:13 / E Diele, 29 Prill 2018 / indeksADMonline

Haradinaj takon Gashin dhe Rexhën, njoftohet rreth kërkimit për dy policët e zhdukur

Kryeminisri i vendit, Ramush Haradinaj është takuar gjatë ditës së sotme me ministrin e Punëve të Brendshme, Bejtush Gashin dhe me ushtruesin e detyrës së Policisë së Kosovës, Naim Rexha të cilët edhe i dorëzuan raportin e parë për ngjarjen tragjike të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Malsor Shemsedin Dashi dhe Armend Mifail Trena.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se ata diskutuan edhe për procedurat e mëtejme rreth kësaj ngjarje.

Ky është postimi i tij:

Sot prita në takim ministrin e punëve të brendshme, Bejtush Gashin, dhe UD drejtorin e Policisë së Kosovës, Naim Rexha, me ç’rast pranova një raport të parë për ngjarjen tragjike të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Malsor Shemsedin Dashi dhe Armend Mifail Trena.

U informova për rastin, për ecurinë e deritashme të kërkimeve, si dhe për procedurat e mëtejme për këtë ngjarje.

Shfrytëzova rastin që t’u shpreh keqardhjen time të thellë për këtë rast, ministrit Gashi, UD drejtorit Rexha, familjarëve të dy policëve, të gjithë kolegëve të tyre në Policinë e Kosovës dhe popullit të Kosovës, duke i siguruar se si Qeveri e Republikës së Kosovës do t’u qëndrojmë afër familjeve të policëve, por edhe do të angazhohemi që në të gjitha format ta mbështesim Policinë e Kosovës, për punën e çmueshme që po bënë për rendin dhe sigurinë tonë.

Dhe tani, së bashku me ministrin Gashi dhe me UD drejtorin Rexha, po shkojmë tek vendi i fatkeqësisë, për t’u interesuar nga afër dhe për t’i falënderuar të gjithë kërkuesit e dy policëve të aksidentuar, për angazhimin e tyre.

RH