12:59 / E Premte, 14 Shtator 2018 / indeksADMonline

Haziri viziton Bashkësinë Islame dhe medresen “Alauddin”

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga nënkryetari, Arbër Ismajli, kanë vizituar sot Bashkësinë Islame të Gjilanit dhe Medresen “Alauddin”, për ti falënderuar për bashkëpunimin dhe njëkohësisht për t’u koordinuar për aktivitete të përbashkëta gjatë të ardhmes në shërbim të qytetarëve.

Haziri njëkohësisht i ka bartur përshëndetjet dhe urimet e tij për të gjithë haxhilerët për kthimin e tyre në Gjilan, sikur që ka përshëndetur edhe punën që bëhet në shkollën e medreses.

“Jam sot në Bashkësinë Islame për t’i uruar të gjithë haxhilerët për kthimin e tyre në Gjilan. Gjithashtu jam sot këtu sepse është detyrë e jona e përbashkët ruajtja dhe mirëmbajtja e varrezave të qytetit dhe gjithashtu edhe përgatitjen dhe investimin në varrezat e reja të qytetit. Bashkërisht do të bëhet rregullimi i parkingut të veturave në atë hapësirë, shtigjeve për këmbësor, projektimi i tërsishëm i varrezave të reja të qytetit dhe hapësirave përcjellëse të nevojshme. Për këtë do të jemi të koordinuar gjithashtu edhe për shërbimet e varrimit të cilat duhet të jenë sipas planifikimit për çdo qytetarë pa dallim”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.

Ai ka vizituar edhe shkollën e medreses së Gjilanit, ku është takuar me personelin arsimor të cilët i ka uruar për punën që bëjnë dhe për kontributin që japin në këtë shkollë, e cila ka mbi 100 nxënës. Këtë vit është gjenerata e parë e regjistruar e nxënëseve femra.

Temat: