17:53 / E Martë, 27 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Heronjtë e Kombit mirë se erdhët në Kosovë

Opinion nga Naim Hyseni

Sot është një ditë me plot emocione ,por edhe ditë krenarie! Një ditë e veçantë në historinë e kombit shqiptar, sepse pas 20 viteve kthehet në Kosovën e lirë trupi i heroit Ilir Konushevci së bashku me trimin e shquar, Dr.Hazir Malaj.

Sot pas 20 viteve tokës së Kosovës, e radhës së gjatë të dëshmorëve po i shtohen edhe dy luftëtarë e atdhetarë të shquar të luftës për liri.

Nga sot, vendi ku do pushojnë të qetë komandant Mërgimi e Hazir Malaj, do të jetë një vend ku gjeneratë pas gjenerate do përkulen e nderojnë me respekt, për tu frymëzuar e marr energji për mbrojtjen e vendit, për atdhe dashuri, për paqen dhe zhvillimin shtetit ,sepse ky ishte synimi, ky ishte ideali tyre dhe për këtë edhe u flijuan.

Ilir sot nuk erdhe ilegal e maleve, nuk erdhe rrugës së sakrificës që kalove me qindra herë, nuk erdhe i armatosur, por erdhe rrugës së paqes, rrugës së kombit që ti dhe dëshmorët tjerë ndërtuat me gjakun e juaj.

Nuk erdhe sot me Zahirin, Ademin , Hakifin, Adrianin, Luanin, Mujen, Fehmiun, Bekimin , Agimin, sepse ata të priten këtu, për tu ju bashkuar edhe ti me doktorin në kështjellën e fortë të lirisë.

Sot nuk kalove rrugët e Shqipërisë me sakrificë ,e duke u malltretuar shumë herë nga njerëz që kishin uniformën dhe bindjet e tyre politike e ideologjike.

Sot shteti shqiptar ju nderoj e lartësoj duke bërë nderime ushtarake ashtu si meritojnë patriot e luftëtarë të shquar.

Pas 20 viteve ndarje u bëtë bashkë me Hazirin në qytetin e krenarisë kombëtare , në Prizrenin e  bashkimit të gjithë shqiptarëve.

Me 9 maj 1998 një dore kriminale, bënë një nga atentatet më të shëmtura ndaj njërit nga themeluesit, e komandantët më të shquar të UÇK-së Ilir Konushevci e Dr.Hazir Malaj.

Jo rastësisht Iliri kishte bashkëluftëtarë një intelektual e atdhetarë të shquar në rrugën e tij drejt lirisë, që nuk e la vetëm duke mbrojtur e luftuar krah për krah me komandantin, për të fituar pavdekësinë.

Edhe sot Dr. Haziri Heroi kombëtar vjen së bashku me Ilirin për të na treguar bashkimin vëllazëror e shpirtëror të kombit shqiptar.

Ilir sot ushtria Kosovës, të cilën ti vure themelet e forta të saj, të nderoj e priti si komandant e hero. Sot rrugët e Kosovës ishin te lira, dhe me lule lirie të mbjella nga dora jote e shumë dëshmorë të tjerë.

Sot nuk erdhe për aksione, nuk erdhe për të dhënë urdhra për strategjinë e luftës, nuk solle armatim, por erdhën veprat e nja strategu e udhëheqësi shpirtëror të UCK, Ilir ti punove e veprove për unitet ushtarak e politik, sepse kishe zemër luani e shpirt liridashësi.

Ti u bërë urë bashkimi e uniteti, e udhëheqës i vërtet i luftës çlirimtare.

Ilir ishe njeri i idealeve madhore kombëtare. Duke qenë i këtyre përmasave,  ti na bashkon edhe sot në ditën kur po mbyllet rrugëtimi yt i gjatë drejt Kosovës, atu ku linde dhe atu ku po të pret toka e jote! vendi nga i cili nga sot do të bëhet një PANTEON i ri i shqiptarizmit.

Ilir po na mungon shumë ,po na mungon karakteri e morali yt i fortë. Po na mungon sinqeriteti dhe buzëqeshja qe na jepte guxim e trimëri . Po na mungon shume komandat ne bashkëluftëtarëve, e familjes po edhe Kosovës.

Ti ishe student i shkëlqyer, ishe shokë e bashkëluftëtar i mrekullueshëm, i dashur e respektuar nga te gjithë, ishe një Baba e bashkëshort i përkryer.

Sot Nertila nuk është më e vogël kur ti mbaje mbi supet tua, kur përqafoje e luaje me të, edhe pse shumë pak kohë i kushtoje ,sepse për ty mbi te gjitha ishte Kosova dhe liria saj!

Ajo sot është një zonjushë e vërtetë, një vajze e mrekullueshme ashtu si ti e dëshirojë, një studente e intelektuale e shkëlqyer .

Ti nuk ishe si ne të tjerët, ishe i veçantë në rrugën drejt lirisë. Kishe zemër luani në aksione kundër armikut, dhe së  bashku me Komandantet Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, komandantin Legjendar Adem Jashari, Adrijan Krasniqi, Luana Haradinja , Muj Krasniqi e tij ishit arteria dhe shpirti i UCK, ishit strateget e luftës çlirimtare, ishit dhe do mbeteni krenaria e kombit.

Sot me të vërtetë kemi nevojë për ty Ilir, sepse Kosova po lëngon nga ata të cilët ja ndalen dritën dhe lënduan  lirinë që ju  dëshmorët e deshët shumë.

Njerëzit e mëdhenj nuk vdesin natyrshëm, e i tillë ishe ti ilir. Ti ishe udhërrëfyes dhe shembull për shumë luftëtar, ishe dhe do mbetesh heroi i popullit.

Unë sot po ndihem shume i vogël karshi shpatullave tua, i vogël dhe përkulem  para veprave dhe emrit tënd Ilir.

Më fal që nuk kam mundësi ti them të gjitha për figurën e veprimtarinë tënde të lavdishme , që ata të cilët të përgatiten vrasjen  tentuan për  20 vite ta minimizojnë…….mirëpo nuk mundet askush ti fsheh gjurmët dhe veprimtarinë që ke ngul fortë në historinë e shqiptarëve.

Më fal të lutem! që nuk kam bërë asgjë për zbulimin e vrasjes,  më fal që nuk u kujdesa për Vajzën Nartilen e familjen, e fali edhe bashkëluftëtarët e tjerë, por mos i fal të lutem institucionet e Kosovës që nuk kanë bërë asnjë veprim për ti nxjerr para drejtësisë ata kriminel e tradhtarë. Mos i fal që nuk u interesuan për familjen, që ende jeton në mërgim e larg varrit tënd, sepse turpi dhe hija juaj  Ilir e Hazir do i përcjell deri në vdekje!

Pushoni të qetë heronjtë e kombit , jeni të pavdekshëm, ju qoftë i lehtë dheu i Kosovës

Zoti i bekoftë Shqiptarët

Lavdi juve e të gjithë dëshmorëve