19:05 / E Enjte, 26 Korrik 2018 / indeksADMonline

Historia e bacës Adem, i tretur nëpër burgje

Serbët e bënë që vitet e tij të rinisë t`i kalojë nëpër burgje. Në duart e tyre, Adem Demaçi ishte për plot 28 vite.

Ai u burgos për herë të parë nga qeveria autoritare e Josip Broz Titos kur ishte vetëm 22 vjeç. Pasi u burgos në Prishtinë, ai mbajti burg tri vite dhe më pas u lirua.

Në vitin 1963 ai bashkë me shumë miq të tij formuan “Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”. Pas vetëm 2-3 aksioneve, ai në qershor të vitit 1964 arrestohet me shumicën prej organizatorëve dhe mbahet në burg për një dekadë, shkruan Indeksonline.

Në vitin 1974 ai doli nga burgu i Pozharevcit, kohë kjo kur edhe vet Tito me komunistët tjerë e dinin se ideja dhe mundësia për pavarësi të dalëngadalshme të të gjitha njësive federale nuk ishte dhe aq e largët ose e pamundur, duke përfshirë edhe Kosovën.

Adem Demaçi ishte i ndjekur vazhdimisht për shkak të veprimtarisë së tij drejt lirisë së vendlindjes.

Ai u burgos për të tretën herë në tetor të vitit 1975.

Pas një procesi të kurdisur, Adem Demaçi do të burgosej bashkë me Rexhep Malën, Skënder Kastratin dhe plot 16 veprimtarë të tjerë.

Dënimet u shqiptuar prej 5 deri në 10 vite dhe Demaçit ia dhanë maksimumin. Më 21 prill të vitit 1990 ai me shumë shokë të tjerë, u lirua nga brugjet e Kroacisë, shkruan Indeksonline.

Demaçi ishte vlerësuar me çmimin Saharov për Lirinë e Mendimit në vitin 1991, ndërsa në vitin 1995 ai u vlerësua me çmimin për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Oslos.

Demaçi ka ndërruar jetë sot në moshën 82 vjeçare. /Indeksonline/