11:49 / E Hënë, 25 Qershor 2018 / indeksADMonline

Hoxha: IPA do ta kryejë programin deri në mesin e vitit të ardhshëm

Është mbajtur takimi iniciues, ku do të bëhen të ditura afatet kohore dhe sektorët që do të përkrahen nga programet kombëtare për Kosovën, IPA 2019 dhe IPA 2020, të financuara nga Bashkimi Evropian.

Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha me këtë rast ka thënë se kanë për qëllim që duke filluar nga tani, deri në mesin e vitit të ardhshëm të kryejnë programin IPA 2019 dhe IPA 2020, që kap shumën e rreth 200 milionë eurove.

“Qëllimi pse po fillojmë tash është që të kemi kohë të përqendrohemi në fazën e planifikimit për instrumentin e ri që do të zhvillohet në periudhën e re financiare të BE së 2021-2027. Sot përfaqësuesit e zyrës së BE-së do të na njoftojnë rreth kufijve financiar të programeve 2019- 2020 në mënyrë më të saktë. Afatet kohore të nevojshme për të dorëzuar kërkesat nga ana jonë tek ne për financim si dhe rreth sektorëve, të cilët do të financohen dhe modalitetet e zbatimit të projekteve në këta sektor”, u shpreh ajo.

Hoxha ka treguar se Ministria ka pranuar një numër propozimesh nga institucionet e Kosovës, dhe për këto kërkesa ka njoftuar zyrën e BE-së.

“Është koha që duke filluar nga sot së bashku të nisim një dialog rreth institucioneve te BE së dhe Kosovës rreth ideve më të mira për mbështetje. T’i përcaktojmë prioritetet që na ndihmojnë të avancojmë rrugën tonë më procesin drejtë integrimit evropian. Ftoj përfaqësuesit e institucionet e Kosovës të bëjnë propozimin e projekteve të tyre dhe t’i paraqesin prioritetet e tyre. Pas kësaj Ministria qëndron e hapur për bashkëpunim dhe mbështetje që sa më mirë të definohen këto projekte”, tha ajo.