10:07 / E Mërkurë, 01 Gusht 2018 / indeksADMonline

Huawei para Apple!

Ditën e Marte Apple publikoi një raport financiar të shkëlqyer megjithatë prodhuesi i iPhone humbi vendin e dytë si prodhuesi më i madh në botë i telefonëve.

Firma analitike IDC, CounterPoint Research, IHS Markit dhe Canalys raportuan se prodhuesi Kinez i telefonëve Huawei i rrëmbeu Apple vendin e dytë bazuar në numrin e pajisjeve të shitura më 30 Qershor.

Sipas të dhënave preliminare të IDC, Huawei shiti 54.2 milion telefonë, një rritje me 40% krahasuar me një vit më parë.

Sakaq Apple shiti 41.3 milion njësi, një rritje me vetëm 0.7%.

Wall Street kishte parashikuar shitjen e 41.79 milion pajisjeve. Këto statistika e vendosin Huawei në vendin e dytë me 15.8% të tregut ndërsa Apple me 12.1% në vendin e tretë.

Firma analitike Canalys ja atribuon këtë sukses të Huawei performancës së P20-ës telefonit me tre kamera.

Huawei ka shitur 4 milion telefonë me markën Honor jashtë Kinës, një rritje me 150% këtë vit.

Samsung ende lider

Samsung mbetet lideri i tregut me 20.9% pasi shiti 71.5 milion telefonëve gjatë tre mujorit që u mbyll me 30 Qershor sipas IDC-së.

Por gjigandi Korean pati rënie me 10.4% të shitjeve vjetore.

Nga ana tjetër Apple nuk ka prekur majat e industrisë që nga tre mujori i dytë i 2010-ës.

Në terësi shitjet e telefonëve ranë me 1.8% sipas IDC-së.