23:58 / E Hënë, 22 Janar 2018 / indeksADMonline

I riu skizofren qëlloi të ëmën me thikë, 5 muaj në paraburgim pa raport mjekësor

Besim Kili, një banor i Fushë-Krujës, denoncon në emisionin “Stop” problemin e tij të pazgjidhur dhe aspak të lehtë.

Besimi tregon se ka një djalë të diagnostikuar me skizofreni dhe për këtë diagnozë është shtruar disa herë në spital, ku ka marrë dhe mjekim. Por i biri është bërë i dhunshëm dhe ka arritur derisa të qëllojë të ëmën me thikë.

Pas denoncimit në polici, i sëmuri përfundoi në paraburgim, ku mbahet në kushte të papërshtatshme për të.

Avokati Sabri Karaj thotë se i sëmuri duhet të qëndrojë në kushte spitalore, pasi kështu e parashikon edhe ligji. Por prokuroria e Krujës prej muajsh nuk ka siguruar raport mjeko-ligjor për të riun me diagnozë “skizofren”.

Mjeku psikiatër tregon ecurinë e pacientit dhe shpjegon se ai duhet të qëndrojë vetëm në kushte spitali psikiatrik.

Pas interesimit të emisionit “Stop”, Prokuroria e Krujës vihet në lëvizje dhe ajo që nuk u zgjidh në 5 muaj, u zgjidh në 2 ditë.