16:39 / E Diele, 17 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Istogasit me mendime të ndryshme për rivotimin (Video)

Banorët e Istogut që sot po votojnë për herë të tretë për të zgjedhur kryetarin e Komunës thonë se presin ndryshime pozitive për qytetin e tyre.

Të intervistuar nga KosovaPress  një numër i madh qytetarësh deklarohen se janë për ndryshime,  e ka nga ta që e bëjnë publik edhe se kënd do ta votojnë.Kështu, edhe pse për votuesin Xhafer Gjocaj, më e rëndësishme është të punohet sesa të premtohet, ai në një deklaratë për KosovaPress, tha se nuk do të lodhej së votuari për kandidatin e tij të preferuar, sa herë që të kërkohej.”Presim gjëra të mira. Presim jo me na premtu e mos me realizua. Por me premtua dhe me i krye punët…. Nëse është nevoja kemi me dalë edhe 10 herë. Kem me dal, mos e shkëputni këtë, kemi me dal me votu për LDK-në dhe u krye kjo punë. Mos ma prej qeto se e kam mirë në Prishtinë atje”, u shpreh ai.

E ndryshime nga këto zgjedhje priste Smajl Blakaj, e që megjithatë tha se është i kënaqur me qeverisjen e deritanishme. Ai si duket është lodhur nga rivotimet në këtë komunë, pasi që shpreson që ky të jetë rivotimi i fundit për këto zgjedhje.”Jo, jo. Me këtë u vendos. Boll më”, tha ai.

Për të votuar në raundin e tretë për zgjedhjet komunale në Istog, kishte marrë mundin edhe tetëdhjetë vjeçarja Rrushe Kurtaj, mbesë e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, e cila në  një prononcim për KosovaPress tha se shpreson që një ditë të bëhet mirë për të rinjtë e Kosovës.”Hatri i dajës dola të votoj, se e kam pasë dajën me emër të madh… Ishalla bëhet mirë e Inshalla rinia presin se ne shkuam bre hallë”, tha ajo.

Istogasi Maki Bujupaj, e vlerësoi të mirë qeverisjen e deritanishme, duke thënë se Istogu do të zhvillohet edhe më shumë me kryetarin aktual, Haki Rugovën.”Presim më mirë, por mirë e kemi. Pres fitore bindëse të Haki Rugovës”, tha ai.

Ndërkaq, krejt ndryshe mendon Sulejman Demiraj, i cili teksa hynte në qendër të votimit, rrëfeu se rivotimi i sotëm ishte i tepërt për të.

“Jemi lodhë. E kanë tepruar shumë. Ishalla e treta e vërteta, e kryhet me kaq…. Kurrgjë nuk presim. Veç dalim ta kryejmë obligimin tonë si qytetarë se asgjë nuk presim”, u shpreh ai.Demiraj tha se shpreson që kjo të jetë hera e fundit që voton për këto zgjedhje komunale, përderisa shtoi se pesimizmi që sot ka kapluar qytetarët si ai, vjen nga mospuna e qeveritarëve. Në anën tjetër, është Kumrije Deliaj e cila thotë se ende ka shpresë.”Presim më mirë. Sigurisht se presim më mirë”, u shpreh ajo.

Ndryshe, qytetarë të komunës së Istogut sot do të vendosin se kujt do t’ia besojnë udhëheqjen me komunën e tyre për katër vitet e ardhshme, kryetarit aktual Haki Rugovës nga LDK, apo Gani Dreshajt nga radhët e AAK.