17:17 / E Martë, 20 Mars 2018 / indeksADMonline

Isufi: Komisioni aktual ka gjetur gabime andaj votojeni t’i korrigjojmë ato (Video)

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi ka folur para deputetëve të kuvendit, për arsyet pse duhet të votohet kjo marrëveshje.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje jep mundësi për korrigjimin e gabimeve nga komisioni i qeverisë së kaluar, shkruan Indeksonline.

“Ka tri vite që është kjo temë në opinionin e Kosovës madje edhe në opinion ndërkombëtar dhe meqenëse s’është zgjidhur, përmes ligjit që e ka sjellë qeveria ta aprovojmë këtë ligj duke pasur parasysh se marrëveshjes së vitit 2015 i ofrohet dokumentacioni i Komisionit Shtetëror aktual, që tregon për gabime te gjetura nga komisioni i kaluar. Po ashtu është deklarata e dy presidentëve që jep mundësi për korrigjimet e duhura”, tha Isufi.

Ai ka ftuar të gjithë deputetët pa përjashtim që ta votojnë ligjin dhe ta korrigjojnë gabimin e komisionit të kaluar.

“Ne i japim mundësi për të përmirësuar gabimet që kanë ndodhur në të kaluarën dhe ju ftoj të gjithëve që të votoni propozimin që në kuvend e ka sjellë qeveria me të vetmin ndryshim tek pika 1.2. Unë besoj se me këtë marrëveshje mundemi që ta korrigjojmë gabimin që e ka bërë komisioni i qeverisë së kaluar, andaj votojeni në mënyrë që të rregullohet ky gabim e njëkohësisht marrëdhëniet mes Malit të ZI e Kosovës të thellohen edhe më shumë”, shtoi Isufi./Indeksonline/

Temat: