18:05 / E Shtunë, 03 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Italianët bëjnë dokumentar për gratë shqiptare

Historia e gruas shqiptare nga diktatura në kaosin e ndryshimit të sistemit e deri në ditët e sotme është një histori frymëzimi për shumë gra në botë. Një histori jo vetëm mbijetese por dhe emancipimi do të vijë përmes rrëfimeve të grave që me jetët e tyre kanë sjellë ndryshimin. Pas botimit të librit “Donne D’Albania.

Tra migrazione, tradizione e modernità”, (Gra të Shqipërisë. Midis migrimit, traditës dhe modernitetit), përgatitur për botim nga sociologu Rando Devole dhe drejtori i revistës Confronti, Claudio Paravati, tashmë historia e grave shqiptare do të vijë në një dokumentar në vendin fqinj, Italinë.

Dokumentari do të realizohet në bashkëpunim me Ground Vista Pictures e regjizorin, Riccardo Bianco, fitues e çmimit të parë me dokumentarin e tij “Nicu” në festivalin Around Film Festival i Berlinit, i cili sapo ka mbaruar dokumentarin e fundit “Brucia la sabbia”, xhiruar më 2017 në Siri.

Dokumentari do ndjekë nga afër situatën e grave në Shqipëri, për të kuptuar edhe akoma më mirë ato që jetojnë si migrante në Itali. Idea e këtij dokumentari lindi pas suksesit që pati botimi i librit “Donne D’Albania” në Itali.

Libri u prezantua në shumë qytete italiane dhe pati një interes nga shumë lexues mbi historitë e tyre. Prezantimi i parë i këtij libri ishte në nëntor të vitit të shkuar në Tiranë ku morën pjesë shumë personalitete të kulturës.

Por dokumentari kërkon t’u tregojë lexuesve historinë e vërtetë të gruas në Shqipëri. Një histori që do të vijë përmes rrëfimeve të shumë grave që me jetën e tyre kanë dhënë një kontribut në shoqëri, apo në të shkuarën.

Autorët e këtij dokumentari do t’i gjejnë të gjitha ato femra që janë model suksesi nga veriu në jug të vendit, apo dhe ato që jetojnë në Itali për të parë se si është tashmë jeta e një gruaje në një vend që ka jetuar një nga sistemet më totalitare në Ballkan.

Skenari i dokumentarit do të shkruhet nga dy kuratorët e librit Claudio Paravati edhe Rando Devole, ndërsa producioni do kurohet nga Gerta Beqiri, një vajzë shqiptare që jeton në Itali për me shumë se dy dekada, por që gjithmonë ka kontribuuar në mënyrë aktive për komunitetin shqiptar në Itali. Gerta është dhe një nga autoret e librit “Donne D’Albania” dhe punon si producente, kontabiliste për kompanin Ground Vista Pictures./gazeta-Shqip.com