16:21 / E Premte, 30 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Javën e ardhshme Kosova ‘vulos’ ushtrinë!

Kuvendi i Kosovës pritet që në seancën e radhës ta fus në rend të ditës projektligjin për ushtrinë e Kosovës.

Indeksonline ka siguruar agjendën e përgatitjes plenare. Kësisoj, me 3 dhjetor (të hënën) pritet fillimisht të mbahet mbledhja e kryesisë e më pas të caktohet mbajtja e seancës parlamentare.

Pika e 7,8 dhe 9 tregon se ushtria e Kosovës do ta marrë ‘vulën’ përfundimtare për themelimin e saj.

“Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe shqyrtimi i dytë i projektligjit për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës më 8 tetor ka miratuar tri projektligjet e propozuara nga qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përmes këtyre tri projektligjeve ishte synuar që FSK-ja të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshi edhe përgjegjësi mbrojtjeje, por pa prekur emrin e saj.

Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes është miratuar me 101 vota, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës me 98, kurse projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës me 96 vota. /Indeksonline/

 

 

 

Temat: