John Terry: Bellingham më kujton Zidanen, Anglia është më e mirë se Argjentina
Legjenda e futbollit anglez, John Terry, ka mbushur me elozhe Jude Bellinghamin, duke e krahasuar me ikonën franceze Zinedine Zidane.
Ish-kapiteni i Anglisë beson se mesfushori i Real Madridit po udhëheq “Tre Luanët” drejt lavdisë në Kupën e Botës 2026.
Në podkastin zyrtar të FIFA-s, Terry u shpreh se Bellingham i kujton Zidanen për ndikimin që ka në ndeshjet vendimtare dhe për qetësinë që shfaq brenda dhe jashtë fushës.

“E thashë që në fillim të këtij Botërori, ai më kujton Zidane-n. Po e merr mbi supe këtë skuadër. Është një lojtar i klasit botëror dhe ka një qetësi të jashtëzakonshme”, deklaroi Terry.
Bellingham ka qenë vendimtar në rrugëtimin e Anglisë drejt gjysmëfinales, duke realizuar dy gola në fitoren ndaj Norvegjisë në çerekfinale, pasi më parë kishte shënuar edhe një tjetër dopietë në suksesin dramatik 3-2 ndaj Meksikës në fazën e 1/8-ave.
Me gjashtë gola në turne, ai është bërë mesfushori i parë në histori që arrin këtë shifër në një Kupë Bote.
Me vlerësimin e Terry-t u bashkua edhe ish-kampioni i botës me Brazilin, Gilberto Silva, i cili tha se krahasimi me Zidane-n është plotësisht i justifikuar.
“Në ndeshjet e mëdha ke nevojë për lojtarët më të mirë dhe Bellingham e ka treguar këtë vazhdimisht. Ai ka ende shumë për të dhënë dhe ngjan me Zidane-n në mënyrën se si ndikon në lojë”, u shpreh braziliani.
Në prag të gjysmëfinales ndaj Argjentinës, Terry u tregua optimist dhe tha se nuk e sheh skuadrën e Lionel Messit si superiore ndaj Anglisë.
“Nuk shqetësohem për Argjentinën. Mendoj se jemi skuadër më e mirë se ata. Kam ndjesinë se gjithçka po shkon në favorin tonë dhe besoj se ka ardhur koha e Anglisë për të fituar Kupën e Botës”, përfundoi ish-mbrojtësi anglez.

