Keq për Austrinë, ylli i ekipit humb Kupën e Botës
Kombëtarja e Austrisë ka marrë një lajm të hidhur vetëm pak ditë para fillimit të Kupës së Botës FIFA 2026. Mesfushori ofensiv i RB Leipzig dhe një nga lojtarët kyç të përfaqësueses austriake, Christoph Baumgartner, është detyruar të tërhiqet nga turneu pas një dëmtimi në kofshë.
Lojtari 26-vjeçar pësoi dëmtimin gjatë nxehjes para ndeshjes miqësore që Austria e fitoi ndaj Tunizisë të martën. Pas ekzaminimeve mjekësore dhe rezonancës magnetike (MRI), u konfirmua se Baumgartner nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në Botërorin 2026, shkruan Indeksonline
Trajneri i Austrisë, Ralf Rangnick, shprehu keqardhjen për mungesën e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
“Ky është padyshim një lajm shumë i hidhur për Christophin dhe për ne si ekip. Ai është një lojtar i rëndësishëm dhe një figurë kyç brenda skuadrës. Tani do t’i ofrojmë gjithë mbështetjen tonë gjatë procesit të rikuperimit”, deklaroi Rangnick.
Mungesa e Baumgartnerit përbën një goditje të madhe për Austrinë, duke pasur parasysh formën e shkëlqyer që ai shfaqi gjatë sezonit 2025/26 me Leipzigun. Mesfushori ofensiv e mbylli kampionatin si golashënuesi më i mirë i klubit, me 13 gola dhe tetë asistime në 33 paraqitje në Bundesliga./Indeksonline/

