21:29 / E Premte, 24 Maj 2024 / Gj. Sh

KFF Istogu kampion i Ligës U17

Futbollistet e KFF Istogut janë kampione të edicionit garues 2023/24 në Ligën U17 të vajzave.

Skuadra istogase në finalen e “play-off”-it, që u zhvillua sot në Kampin Nacional në Hajvali, ka shënuar fitore ndaj KFF 16 Qershorit, pas penalltive 4:2.

Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras 1:1. Olsa Kuqi kaloi në epërsi Istogun në epërsi në minutën e 48-të, por shumë shpejt skuadra malishevase e riktheu baraspeshën në rezultat me golin e Blerta Hoxhës.

Ndërkohë, në serinë e penalltive më efikase u treguan futbollistet istogase, të cilat në fund fituan me shifrat 4:2.

Medaljet dhe trofeun për ekipin kampion i ndanë Ismajl Ajeti, anëtar i KE të FFK-së dhe Valbona Gashi Uka, shefe e futbollit të vajzave në FFK.

Do theksuar se në ndeshjet gjysmëfinale të ‘play-off’-it, Istogu e mundi Ferizajn, në vazhdime (1:0), derisa 16 Qershori e mundi 2 Korriku (2:0).