13:28 / E Enjte, 08 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Kjo ftesë u është dërguar ndërkombëtarëve për 10 Vjetorin e Pavarësisë (Dokument)

Tash kur po afrohet çdoherë e më shumë Dita e Pavarësisë, ndonëse organizatorët ende po janë të rezervuar me informacionet se çfarë do të organizohet, në mesin e njerëzve të artit dhe kulturës po flitet për një organizim më të madh se herëve të kaluara.

IndeksOnline ka siguruar ftesën që ju ka shkuar personaliteteve ndërkombëtare nga presidenti Thaçi, ku shihet se ata janë ftuar për datën 18 shkurt dhe jo për 17 shkurt, Ditën e Pavarësisë.

I pyetur pse janë ftuar për 18 shkurt dhe jo për 17 shkurt, Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ ka thënë se prej 16-18 shkurt do të jetë edhe Konferenca e Sigurisë në Munih, ku do të marrin pjesë shumica e liderëve botërorë, prandaj për të pasur mundësi që miqtë ndërkombëtarë të vijnë edhe në Kosovë, është planifikuar pritja shtetërore më 18 shkurt.

“E kemi planifikuar pritjen shtetërore më 18 shkurt për shkak se më 16 dhe 17 shkurt do të mbahet edhe Konferenca e Sigurisë në Munih, e cila përfundon pastaj më 18 shkurt, por natyrisht që pjesa më e veçantë e organizimeve do të jetë më 17 shkurt”, ka thënë Behramaj.

Mysafirët ndërkombëtarë që janë ftuar, Behramaj ka thënë se janë kryesisht personalitete që kanë pasur rol në shpalljen e pavarësisë. /IndeksOnline/