14:52 / E Mërkurë, 06 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Koha për lirinë e Kosovës

Liria e Kosovës nuk është pronë e partive. Nuk ka qenë kurrë, e nuk duhet të grabitet në emër të asnjërës prej tyre. Liria – liria e shpresës, e besimit, e lëvizjes, liria e zgjedhjes për veten, është parakusht për çdo ndryshim.

Qytetarët e Kosovës, sa më shumë të bien pre e llogarive partiake, e zgjedhjeve për interesa partish, e emrave të përveçëm në krye të tyre, aq më pak do të jenë të lirë të vendosin për veten.

Në kohën e globalizmit, kur teknologjia dominon, e kur qasja në informacion është më e madhe, të jesh i izoluar siç janë qytetarët e Kosovës është pengesë për progres shoqëror. Globalizmi dhe partneritetet strategjike janë imponues të zgjidhjeve dhe formësues të rrethanave. Nëse ne, qytetarët e Kosovës nuk shohim më larg, po vazhdojmë të tubohemi veç rreth flamujve partiakë, atëherë do të jemi ne që do  mbetemi jashtë loje, e jo partitë që mendojmë të mbështesim.

Ka gjithmonë zgjidhje për partitë.

Por zgjidhjet e tyre ndodh që nuk kanë lidhje me qytetarët. Për qytetarët ka gjithmonë zgjedhje. Zgjedhje vendore, zgjedhje kombëtare, zgjedhje të parakohshme, përsëritje zgjedhjesh. Luftë kryetarësh. Luftë për kryetar shteti. Zgjedhje për shef qeverie. Ku janë zgjidhjet?

Një rini -si e Kosovës- me kapacitete të larta intelektuale dhe profesionale, meriton ta provojë veten në Evropë, aty ku dija dhe shkenca afirmohen çdo ditë e më shumë. Kush i ka fajet për këtë izolim të qytetarëve të Kosovës e në veçanti të të rinjëve?!

Sigurisht, nuk ka monopolizim të fajit! Por nuk ka as arsye përse faji të mbetet jetim. Faji ka emra, e pas emrave fshihen aktorë e faktorë. Disa faktorë janë në Kosovë. Të tjerët jashtë saj. E kemi të lehtë të tregojmë kush e ka fajin jashtë.

Bashkimi Evropian është kritikuar për neglizhencën ndaj Ballkanit Perëndimor.

E dimë mirë se çfarë iu kërkua Maqedonisë dhe asgjë nuk u bë! Pra Evropa, vazhdon të tregohet jo e sinqertë ndaj kësaj pjese të botës, dhe për hir të së vërtetës kjo Evropë ka vrarë ëndrrat e shumë të rinjëve entuziastë dhe ambiciozë, paçka se e ardhmja e tyre që u takon- është evropiane! Sepse ka qenë historikisht e tillë!

Por Evropa nuk është e vetmja që na mohon zgjedhje e na vë kufij. Druaj se elita politike e tashme e Kosovës, edhe ajo e mëparshme, ka bërë veprime e mosveprime që fort e kanë bllokuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendit! Njëjtë ka ndodhur edhe në zyrat më të mëdha të vendosjes në Evropë!

Na u kërkuan disa kritere, i plotësuam! I rikërkuan- i bëmë, vazhdojnë t’i përsërisin, po i plotësojmë me ngulm, edhe pse rrugës hasëm në shumë sfida! Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë sepse Rinia dhe qytetarët e Kosovës e meritojnë lirinë e tyre.

Një popull i lirë për të udhëtuar në vendet e BE-së ka mundësi për studim, mundësi për ta shfaqur kreativitetin, e mbi të gjitha për t’i realizuar vlerat që aspiron.

Për Kosovën nuk ka alternativë tjetër pos lirisë së lëvizjes. Liria e lëvizjes është liri e Kosovës. Është një e drejtë e padiskutueshme dhe  e panegociueshme. Një e drejtë që u premtua për kaq vite, një e drejtë e mohuar, një e drejtë që partitë i grabitën një populli të mashtruar e të getoizuar!

Kosova tash e sa vjet pret ditën kur ne do të lëvizim të lirë, pa viza, pa tortura në termine.  Kosova liberalizimin vazhdon ta presë, e nëse e pret nga njerëzit e gabuar, mund të presë për shumë kohë. Por Kosova duhet të mos harrojë kurrë se në emër të kujt, me gjakun e kujt, e me ndihmën e kujt e fitoi lirinë.

Kosovës nuk i duhet të humbë kohë. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Ajo s’ka më kohë për të humbur, asnjë sekondë. Është koha për Kosovën ta marrë lirinë e saj.