18:11 / E Martë, 26 Qershor 2018 / indeksADMonline

Kosova në prag të anëtarësimit në INTERPOL

Viti 2018 mund të jetë viti i anëtarësimit të Kosovës në organizatën policore ndërkombëtare, INTERPOL.

Një gjë e tillë bëhet edhe më e besueshme, pasi Këshilli Ekzekutiv i Interpolit në Lion të Francës, tanimë ka njoftuar se e ka vendosur Kosovën në agjendë për t’u anëtarësuar këtë vit në këtë organizatë, shkruan Indeksonline.

Se gjërat po ecin në rrugën e duhur, e thotë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës. I pyetur se a ka gjasa që Kosova këtë vit të bëhet pjesë e INTERPOL-it, Pacolli në një prononcim për Indeksonline ka dhënë shenja pozitive.

“Mirë janë punët deri tani”, ka thënë shkurt Pacolli.

Edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se mesi i nëntorit do ta gjej Kosovën të anëtarësuar në këtë organizatë.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka ka thënë për Indeksonline se MPB, MPJ dhe të gjitha institucionet tjera në nivel vendi kanë bërë përgatitjet e mundshme për tu anëtarësuar në INTEPROL.

“Anëtarësimi në INTERPOL përveç që është në interes të Kosovës, është edhe në interes të Ballkanit, pasi që siguria varet edhe prej Kosovës dhe në këtë tërësi, kyçja në INTERPOL është një sinjal i mirë për të gjitha shtetet e Ballkanit dhe njëkohësisht për luftimin e krimit të organizuar dhe ruajtjen e sovranitetit. Ne besojmë që nga mesi i nëntorit, Kosova fuqishëm do të anëtarësohet në INTERPOL dhe ne duke u nisur nga MPB, MPJ, kryeparlamentari, presidentit, janë zhvilluar takime në nivel diplomatik dhe besojmë që do të anëtarësohemi”, ka theksuar Zeka.

Sipas tij, Kosova në INTERPOL, është çështje që do të përmbyllet me kohë dhe në favor të vendit tonë.

Zeka ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ka edhe një aspekt tjetër të rëndësishëm, atë të bashkëpunimit policor në rajon, Ballkan dhe Evropë, e që është segment shumë i rëndësishëm dhe mjaft i ndjeshëm.

“Kjo për ne paraqet një hap të rëndësishëm, sepse me këtë arrijmë të krijojmë një bashkëpunim me të gjitha policitë e Evropës, prandaj është edhe në interes të Evropës që ne të jemi pjesë e INTERPOL-it”, ka përfunduar  Zeka.

Ndërkaq, Qeveria e Serbisë është mobilizuar për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë ditë më parë se anëtarësimi potencial i Kosovës në INTERPOL do të ishte krejtësisht i papranueshëm për shtetin serb dhe qeveria në Serbi do të bëjë gjithçka që është e mundur për ta ndaluar këtë nismë.

Kujtojmë se Asambleja e Përgjithshme e Interpolit do të mbahet në nëntor të këtij viti në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kosova kishte aplikuar edhe vitin e kaluar për anëtarësim në mekanizmin ndërkombëtar policor, INTERPOL. Ajo ishte futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të kësaj organizate, në mënyrë që të votohej për pranimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të kësaj organizate, e cila u mbajt më 17 shtator të vitit 2017, në Pekin. Por, nga pasiguria se do të siguronte votat e mjaftueshme për pranim, kishte tërhequr kandidaturën.

Ndërkohë, Palestina dhe Ishujt Solomon ishin pranuar në këtë organizatë. /Indeksonline/