14:47 / E Enjte, 28 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Krasniqi: Është vështirë ta bëjmë politikën në shërbim të publikut

I jashtëzakonshëm është vlerësuar kontributi i ish-kryetarit të Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, me rastin e promovimit të librit “Reflektime demokratike”, që është një përmbledhje e periudhave të ndryshme të përjetuara nga vetë autori, i cili shpalos pjesë nga to.

Autori nuk foli shumë për librin, por sugjeroi për ta lexuar, sepse shërben si udhërrëfyes për ata që duan të hyjnë në jetën politike.

 

“Konsideroj që një gjeneratë që është në politikë, sapo ka hyrë në politikë, apo edhe ajo që do të hyjë në në politikë do t’i shërbejë, nëse hyrja në politikë është synim për t’i shërbyer publikut. Dhe këtu ne e kemi vështirë sepse mjaft vështirë politika bëhet në shërbim të publikut”, tha ai.

Me besimin që vendi ynë, brezat e rinj nuk do të jenë me fatin e gjeneratave më të vjetra, Krasniqi pohoi se librat e këtij lloji ndihmojnë si këshillë, si orientim etj.

Shkrimtari dhe njëkohësisht botuesi i këtij libri, Abdullah Zeneli, tha se kishte insistuar shumë që Jakup Krasniqi ta botojë këtë libër, pasi ky është një libër që për “fajin e tij” ishte dorëzuar pak më herët këtë vit kalendarik.

Studiuesi letrar Agim Gashi, e lartësoi punën e autorit Jakup Krasniqi, duke thënë se ka kohë që e kishte lutur ta linte politikën dhe t’i kthehej librit. Ndërsa për veprën tha se ka një rëndësi të madhe meqenëse autori ishte në proces të ngjarjeve për të cilat ai shkruan.

 

“Jakupin tashmë e ka pensionuar mosha, por nuk e ka lënë as politikën, as librat. Unë e njoh që nga fëmijëria dhe konstrukti fizik nuk më jep dorë ta shpjegoj burimin e këtyre energjive në qënien e tij, e në këtë libër shoh se ai natyrshëm po rrëshqet në zhanrin e shkrimeve memoaristike, aty ku unë edhe e pres. T’ua kujtoj se publikimet e tij të deri tashme sillen mes 4 mijë a 5 mijë faqe “, u shpreh ai.

Ndërsa, Bashkim Musliu, i njohur si profesor dhe studiues, me shumë fjalë miradie për autorin  e vlerësoi dhe analizoi këtë vepër, e cila sipas  i afrohet të vërtetës në një një kohë të caktuar.

 

“Autori është personalitet me përvojë të gjatë në jetën tonë politike, ka qenë pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve për të cilat flet, ka mbajtur qëndrim vertikal  gjatë gjithë jetës së tij qoftë si profesor, qoftë si i burgosur, qoftë si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qoftë si politikan. Mendimet dhe reflektimet e dr.Jakup Krasniqit në librin “Reflektime demoraktike” kanë peshë më të madhe sepse janë shqiptuara nga një njeri dhe nga një autor që nuk ka bërë kompromis me të vërtetën dhe me të drejtën”, tha Musliu.

Përkthyesi nga Shqipëria, Elvi Sidheri, foli për mardhëniet e tij shpirtërore që ka me Kosovën, duke pohuar se shumicën e punës e ka me bashkëpunëtorë të Kosovës dhe se dashuria për këtë vend është amanet i gjyshit. Ndërsa, për librin shprehu besimin për subjektin që e posedon.

Ndryshe, ky është edhe libri i dymbëdhjetë me radhë nga autori Jakup Krasniqi.