10:37 / E Enjte, 27 Qershor 2019 / indeksADMonline

Kroos: Të gjithë ishin të lumtur me largimin e Ronaldos

Largimi i Cristiano Ronaldos nga Real Madridi dhe shkuarja te Juventusit ishte një operacion, që i bëri të lumtura të gjitha palët. Kështu mendon dhe këmbëngul ish-bashkëlojtari i yllit portugez, Toni Kroos.

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” pati një eksperiencë të gjatë e të suksesshme me të bardhët në La Liga, por edhe në Europë.

Ai e ndihmoi Real Madridin të fitonte tre Champions radhazi, çka nuk e ka bërë askush tjetër më parë. Verën e vitit të kaluar, CR7 kaloi te kampionët e Serie A, ku e nisi me titullin e parë atje.

“Los Blancos” e vuajtën shumë largimin e tij, në sezonin e kaluar, ndaj u detyruan të kthejnë në drejtim Zidane, pas dështimit të Lopetegui dhe Solari.

Sidoqoftë, e mbyllën në vendin e tretë të La Liga-s dhe pa asnjë trofe.

Duke folur për “SportBild”, Kroos pranoi se nuk ishte e çuditshme që Real Madridi e vuajti largimin e portugezit, por shtoi se kjo lëvizje ka pasur përfitimet e veta për të gjitha palët. Marrëveshja ka qenë fitimprurëse:

“Do të ishte e çuditshme, nëse nuk do të ndihej mungesa e dikujt, si Cristiano Ronaldo, i cili ka dhënë aq shumë me golat e panumërt të tij, që ka vendosur fatin e sa e sa ndeshjeve të Realit. Transferimi i tij, megjithatë, i bëri të gjithë të lumtur. Ai donte një përvojë të re dhe Real Madridi fitoi shumë para.”