18:19 / E Mërkurë, 14 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Kryeministri malazez: Jemi të gatshëm të ndihmojmë Kosovën për ta ratifikuar Demarkacionin

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq ka deklaruar se gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj ata kanë biseduar edhe për Demarkacionin.

Në një konferencë për media, ai tha se  Mali i Zi është i gatshëm të ndihmojë Kosovën të gjejë një zgjidhje më të mirë që marrëveshja e Demarkacionit të ratifikohet sa më shpejt.

Gjithashtu ai tha se ata janë të gatshëm për të ndihmuar Kosovën në çdo mënyrë të gjejë zgjidhje më të mira dhe të duhura për të gjitha çështjet.

“Gjithsesi se e kemi hapur edhe këtë çështje. Jemi dy kryeministra përgjegjëse dhe duhet të bisedojmë për këtë çështje që është e rëndësishme për të dyja vendet.  Kur është fjala për Malin e Zi ka përfunduar këtë punë, por e dimë që Qeveria e Kosovës ene nuk e ka ratifikuar këtë marrëveshje. Mali i Zi dëshiron që kjo çështje të zgjidhet dhe të arrihet marrëveshje për këtë çështje. Mali i zi është i gatshëm të ndihmojë Kosovën që ta ratifikojë sa më shpejt Demarkacionin”, ka thënë Markoviq.

Ai më tej shtoi se ata janë të gatshëm për të marrë përgjegjësitë, duke shtuar se nuk janë këtu për të lënë mënjanë çështjet më të rëndësishme.

“Ne jemi njerëz të përgjegjshëm dhe nuk jemi këtu për t’i lënë gjërat mënjanë, por për të gjetur zgjidhje më të mira dhe të qëndrueshme në Ballkan, prandaj është e rëndësishme të merren vendime të shpejta”, ka shtuar ai./ Indeksonline/