09:57 / E Martë, 27 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Lajmi për dorëheqjen e katër kryetarëve të veriut po del të jetë “Fake news”

Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Srpska, Igor Simiq ka hedhur poshtë raportimet se kryetarët e katër komunave veriore me shumicë serbe janë dorëhequr.

Ndërsa, ishte vet Marko Gjuriq, drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë serbe, ai i cili tha mëngjesin e sotëm në televizionin serb “Hepi”, se kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri do të japin dorëheqje.

Madje, ai tërhoqi vërejtjen se edhe organet tjera nuk do të punojnë deri në tërheqjen e masës doganore ndaj mallrave serbe.

Ndryshe, krerët e Listës Serbe kanë vendosur që të martën (sot) ta mbajnë një protestë, siç kanë thënë ata, “të madhe” të serbëve në veri të Mitrovicës për shkak të taksës prej 100 për qind që e ka vendosur Qeveria e Kosovës në produktet e Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës.

I ashtuquajturi “Shtab i Krizës” i katër komunave veriore të Kosovës është mbledhur të hënën (dje) dhe ka diskutuar për gjendjen aktuale pas vendosjes së masave të Prishtinës në produktet serbe dhe ka konstatuar se artikujt jetësorë kryesorë janë duke u harxhuar, duke veçuar miellin dhe barnat. /Indeksonline/