14:32 / E Hënë, 12 Korrik 2021 / AR

Malcolm Simmons: Rasti Kleqka s’do të duhej të shkonte asnjëherë në gjykatë

Ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons ka deklaruar se rasti i njohur si ‘Kleqka’ sipas tij është rasti që s’do të duhej të shkonte asnjëherë në gjykatë.

Sipas tij, ky rast ishte bazuar në dëshmi të vetëm një dëshmitari që ka pasur sëmundje mendore dhe ka vdekur para se të zhvillohej gjykimi.

“Rasti Kleqka sipas meje është raste që s’do të duhej të shkonte në gjykatë.Ishte rast që ka pasur shumë pak shanse që të arrijë sukses.Rasti është bazuar në dëshmi të vetëm një dëshmitari që ka pasur sëmundje mendore dhe ka vdekur para se të zhvillohej gjykimi. Dëshmia ka qenë kontradiktore, jo vetëm sa I përket shënimeve por edhe në bazë të shënimeve të forenzikës”, tha Simmons.

Tutje ish-gjyqtari i EULEX-it theksoi se nëse do të ishte iniciuar një rast i tillë në Mbretërinë e Bashkuara, do të kishin qeshur me të.

“Nëse do të ishte iniciuar një rast i tillë në Mbretërinë e Bashkuar do të kishin qeshur me të. Kjo është iniciuar vetëm se ishte i rëndësishëm për dialogun, kjo ka qenë e vetmja arsye”, shtoi ai.

Ndryshe rasti Kleqka, ishte rasti gjyqësorë ku po akuzohej Fatmir Limaj dhe nëntë ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.