11:28 / E Martë, 20 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Maliqi tregon mënyrën se si mund të kalohet demarkacioni

Ndikimi te deputetët e Listës Serbe për ta votuar demarkacionin, mund të jetë arsyeja e takimeve të vazhdueshme të lidershipit kosovar me ndërkombëtarët.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Shkëlzen Maliqi ka thënë për “Indeksonline” se krerët e shtetit po mundohen t`i bëjnë numrat, deri sa po tentojnë që t`i bindin edhe një pjesë të deputetëve që ta pranojnë aneks-marrëveshjen dhe ta ratifikojnë demarkacionin.

“Si duket ata po mundohen me i bë numrat e mjaftueshëm që me u ratifiku kjo marrëveshja. Ndoshta është edhe një formë e kërkimit nga faktorët ndërkombëtarë që të ndikojnë edhe te deputetët e Listës Serbe, që të mos votojë kundër.  Këto ditë do të votohet ajo, por ndoshta e kanë frikën se mos nuk janë deputetët e partive, një pjesë e tyre nuk janë të disiplinuar, nuk janë në përkrahje dhe nuk e pranojnë rekomandimin që të votohet demarkacioni”, ka thënë Maliqi.

Lidhur me nënshkrimin e aneks-marrëveshjes mes presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij malazez Filip Vujanoviq, Maliqi ka thënë se është negociuar paraprakisht.

Ai ka deklaruar se për këtë çështje është diskutuar jashtë kanaleve diplomatike.

Kujtojmë se Thaçi bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kanë takuar sot ambasadorët e Quint-it, shkruan Indeksonline.

Pas kësaj është mbajtur mbledhja e Qeverisë ku u vendos që të tërhiqet Projektligji për demarkacion.

Në orën 16:00 pritet të mbahet mbledhja e dytë e Qeverisë, ku pritet që të votohet Projektligji për demarkacion bashkë me aneks-marrëveshjen dhe të dyja bashkë të dërgohen në Kuvend për ratifikim./Indeksonline/