21:01 / E Enjte, 13 Shtator 2018 / indeksADMonline

Maloku: Kosova nuk do të ketë ushtri pa koordinim me faktorin ndërkombëtar

Qeveria e vendit ka miratuar tre projektligje për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Ani pse ishte i pari Hashim Thaçi, ai që pati ndërmarr iniciativë personale për shndërrimin e FSK-së në FAK, sot ka shfqur qëndrime jo shumë të qarta.

Derisa ka theksuar se nuk është në dijeni rreth veprimit të ekzekutivit, ka vlerësuar se tani rrethanat janë ndryshe dhe se nuk është koha e përshtatshme për këtë proces.

Megjithatë, vetëm disa orë më pas ai është deklaruar pro këtij transformimi, duke theksuar se Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për rajonin.

“Dua t’ua largoj çdo dilemë: jam pro transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për rajonin. Përkundrazi, do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes, sigurisë shtetërore, rajonale dhe globale. Prandaj, në këtë pikë, institucionet e Kosovës flasin me një zë dhe kemi një qëndrim”, ka shkruar ndër të tjerash Thaçi në Facebook.”

Njohësi i çështjeve të sigurisë në vend, Naim Maloku thotë se transformimi i FSK-së në ushtri nuk mund të bëhet pa koordinim të plotë të faktorit ndërkombëtar.

“Transforimi i FSK-në në Forca të Armatosura të Kosovës nuk mund të bëhet pa koordinim të plotë të faktorit ndërkombëtar me KFOR-in dhe akterët ndërkombëtar që na kanë ndihmu me ardh deri këtu dhe kanë pas ndikim në proceset e ardhshme që ka kalu dhe po kalon Kosova. Nuk mund të bëhet një koordinim pa ta, ligji ka kalu në qeveri dhe urojë që kjo të mos jetë një shprehje për patriotizëm, urojë që kjo të mos jetë një shprehje të shohim tash si do të shkojnë këto gjëra. Ai ligj duhet të vjen në Kuvend dhe ka një rrugë që duhet të kalojë dhe të shohim tash si do të rrjedhin gjërat, po e përsërisë nuk mund të ketë ushtri pa koordinim pa faktorin ndërkombëtar.”, ka thënë Maloku në një bisedë për Indeksonline.

Sipas tij, Thaçi u pat detyruar të tërhiqet nga iniciativa për krijimin e ushtrisë pas presionit nga ndërkombëtarët. Maloku konsideron se i gjithë ky proces po përdoret për marketing të brendshëm politik tash e sa vite.

“Presidenti e ka pas një inciativë, e pati dërgu në Kuvend për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, është detyru me tërheq atë iniciativë pas presionit nga ndërkombëtarët, e tash si do të veprohet nuk e di me këtë ligj. Mund të ndodhë të ketë fatin e nismës së Presidentit, po e përsërisë se kjo iniciativë po bëhet edhe për marketing të brendshëm politik qe rrafsh 5 vite.”, ka theksuar ai.

Mundësitë më të mëdha për transformim, sipas Malokut ishin në vitin 2013.

“FSK e ka pas mundësinë të transferohet në vitin 2013, atëherë kur ka skadu mandati i Ligjit për FSK-në që ka qenë 5 vjeçar, mirëpo për shkak të mos koordinimit të partive politike nuk u realizu, janë fajtore të gjitha partitë politike pasi që nuk kanë mujt me u koordinu për këtë proces”, ka theksuar tutje ai.

Ndryshe, vlen të përmendim faktin se për transformimin përmes ndryshimeve kushtetuese të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura, janë të domosdoshme dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës dhe dy të tretat e votave të dyfishta nga deputetët që përfaqësojnë komitetet pakicë në Kuvend. Deri më tash ky transformim është kundërshtuar kategorikisht nga përfaqësuesit e Listës Serbe./Indeksonline/