20:33 / E Martë, 21 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Manchesteri bëhet gati ta rrëmbej Griezmanin

Manchester United është në gjendje gatishmërie, menjëherë pasi Antoine Griezmann rrëfeu se mund të largohet nga Atletico Madrid.

Lajmi është bërë publik nga tabloidi britanik “The Sun”,  i cili kujton se sulmuesi francez ishte shumë pranë transferimit në “Old Trafford” gjatë merkatos së verës, të paktën deri kur FIFA vendosi që të konfirmojë penalitetin për klubin madrilen.

Me Atletico Madrid të pamundur për të bërë blerje në merkato, Griezmann, vendosi të qëndrojë te ekipi spanjoll.

Por tashmë francezi ka ndezur sërish shpresat e “Djajve të Kuq”, sikurse dhe të blerëve të tjerë potencialë, sikurse Barcelona, pasi ka pranuar në biografinë e tij, se në të ardhmen mund të largohet nga Atletico Madrid. “Në qershor të vitit 2017 rinovova kontratën time dhe tani jam i lidhur me klubin deri në vitin 2022. Ndonëse nuk kam fituar ndonjë trofe, kam këtu gjithçka që dëshiroj”, u shpreh sulmuesi i Atletico Madrid.

“Ajo që nuk dua të them, gjithsesi, është se nuk do të largohem një ditë. Nuk e kam marrë ende atë vendim. Gjithçka do të varet nga një seri faktorësh”, deklaroi Griezmann. Sipas raportimeve është Barcelona ajo që ka arritur një marrëveshje në parim me sulmuesin francez, por edhe Jose Mourinho është ende favorit për ta blerë në verën e ardhshme futbollistin e Atletico Madrid.