12:39 / E Enjte, 05 Prill 2018 / indeksADMonline

Mbyllet protesta e opozitës, pritet fillimi i arrestimeve masive

Është mbyllur protesta e ditës së sotme, të cilën opozita e cilësoi si fillimin e mosbindjes civile. Qytetarët kanë filluar të lirojnë akset rrugore duke mundësuar edhe rifillimin e qarkullimit të makinave.

Protesta e sotme u zhvillua pa marrë leje nga policia, gjë për të cilën autoritetet njoftuan mbrëmë se do të kishte pasoja për pjesëmarrësit dhe organizatorët.

Pritet që në orët e pasdites dhe të mbrëmjes të fillojnë arrestimet, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, si organizatorë të saj.

Duke folur nga Vora, kreu i PD-së Lulzim Basha i ka bërë thirrje kryeministri Edi Rama që të lirojë 11 kuksianët që mbetën në burg ditën e djeshme pras protestës së dhunshme të shtunën kundër taksës së rrugës së Kombit.

“Edi Rama liroi Saimir Tahirin dhe nuk arreston kriminelët dhe liron banditët nga burgu. Ai arreston njerëzit e pafajshëm që proteston për bukën e gojës. Policinë e shtetit e ke kthyer në polici private dhe ke politizuar gjykatat”., – tha Basha nga Vora sot, ndërsa opozita nuk ka bërë të ditur se çfarë do të bëjë në ditët në vijim.

Deklarata e policisë mbrëmë
Siç është bërë e njohur në media, disa parti opozitare kanë lajmëruar se në datën 5 prill, do të zhvillojnë një protestë, shoqëruar me bllokimin e disa akseve rrugore kombëtare.

Policia e Shtetit nuk ka marrë njoftim ligjor për protestën dhe mbështetur në ligjin “Për tubimet”, nuk mund të lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit, cenojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve.

Zhvillimi i protestës së paralajmëruar mediatikisht, për vetë natyrën e saj përbën një cënim të rëndë të ligjit, të rendit publik dhe lirisë e sigurisë së çdo qytetari, që ka të drejtën të përdorë hapësirat e pushtuara nga një protestë e tillë.

Organizatorët e kësaj proteste të paligjshme do të përballen me ligjin për çdo pasojë të paparashikuar, që mund të sjellë një protestë e organizuar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt në pika nevralgjike për qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve.

Policia e Shtetit njeh dhe respekton si të paprekshme të drejtën për të protestuar. Por ajo ka përgjegjësi ligjore, si dhe gatishmërinë për të mos lejuar cënimin e interesit të qytetarëve.

Policia e Shtetit u bën apel të gjithë qytetarëve të mos bien pre e një politike të angazhuar për të goditur ligjshmërinë dhe institucionet e vendit, duke dëmtuar interesat e njerëzve e të vetë vendit.

Zhvillimi i një proteste të paligjshme mund të përdoret nga elementë me precedentë kriminalë dhe të nxitur a të paguar për të krijuar paqëndrueshmëri shoqërore.

Policia i bën thirrje çdo qytetari të mos bëhet pjesë e kësaj proteste të paligjshme dhe me rrezik për rendin e sigurinë.

Gjithashtu Policia e Shtetit i kërkon paraprakisht ndjesë çdo qytetari, për çdo rast kur nuk do te mund t’i shërbejë si duhet lirisë se qarkullimit.